“Dje rreth orës 11:45 në këtë park janë dëgjuar të qara të një fëmije. Banorët janë afruar dhe kanë parë se bëhet fjalë për një foshnje të sapolindur e cila është braktisur nga nëna e saj”, Almedina Ismajli, gazetare.
Në lagjen Fushë Tophanë dje është gjetur një foshnje. Banorët menjëherë rastin e kanë paraqitur në polici dhe në urgjencë. Autoritetet kanë konstatuar se foshnja ka vetëm një ditë që ka lindur dhe se është në gjendje të mirë shëndetësore. Por ende nuk është zbuluar identiteti i foshnjës dhe nënës së saj.
“Më 14 maj 2019, në ora 11.45, në SPB Shkup, nga një qytetar u paraqit se në bulevarin “Brigada maqedonase-kosovare” në lëndinë përballë shtëpive, kishte një foshnjë që qante. Nga ekipi mjekësor i urgjencës foshnja u dërgua në Spitalin e fëmijëve dhe ishte në një gjendje të mirë shëndetësore. . Identiteti i foshnjës dhe nënës është ende i panjohur. Punonjësit socialë janë të njoftuar me rastin dhe po merren masa për të zbardhur rastin”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Foshnja për momentin është e hospitalizuar në spitalin për sëmundje të fëmijëve. Nga ky spital thonë se foshnja është mashkull dhe peshon 2400 g.
“Në Klinikën për Sëmundjet të fëmijëve, mbrëmë me automjet të ndihmës së shpejtë, u sjell një fëmijë i sapolindur, i cili u gjet në një vendbanim në Shkup. Është një i porsalindur mashkull, me një peshë prej 2400 g. Është nën përkujdesje në departamentin e neonatologjisë, gjendja shëndetësore është e mirë, dhe janë marrë të gjitha masat e nevojshme në raste të këtilla”, thotë doktoresha Katerina Stavriq.
Edhe Qendra për punë sociale – Shkup po punon në këtë rast. Nga kjo qendër thonë se përgatisin dokumentet dhe numër amë për fëmijën në mënyrë që të mund të adoptohet, nëse nuk gjinden prindërit e tij.
“Qendra për punë sociale e ndjek gjendjen e foshnjës, për shkak se fëmija është lindur dje, i presim informacionet nga klinika se kur mundemi ne ta marrim që ta akomodojmë në vend adekuat, t’i nxjerrim certifikatë nga libri amë i të lindurve, mbrojtje shëndetësore dhe me detyrë zyrtare fëmijës do t’i ndahet kujdestar”, potencoi Natasha Staenoviq, drejtoresh në Qendrën për Punë Sociale.
Ndryshe në qendrën për fëmijë pa prind, e cila ndodhet në Manastir, për momentin janë të regjistruar 21 fëmijë deri në moshën 3 vjeçare.
Përgatiti: Almedina Ismajli
