Një bankë tjetër do ta blejë Alta Bankën! Mickoski: Skenarët e zinj të opozitës nuk do të realizohen

TË FUNDIT

Alta Banka do të shpëtohet, përkatësisht një bankë tjetër do ta blejë atë, me çka skenarët e zinj të opozitës nuk do të realizohen – deklaroi kryeministri Mickoski, i pyetur për akuzat dhe kërkesat e LSDM-së për përgjegjësi lidhur me këtë rast. Mickoski nuk e zbuloi emrin e bankës që do ta blejë Alta Bankën, por tha se ajo së shpejti do të shpëtohet.

“Ditët e fundit kam qenë personalisht shumë i përqendruar te çështja e Alta Bankës dhe sot jam shumë optimist se, për fat të keq të opozitës, skenarët e tyre të zinj dhe përpjekjet që banka të shkojë drejt pasigurisë, përkatësisht drejt falimentimit, nuk do të realizohen. Do të kemi një institucion financiar, një bankë, e cila do të bëhet pronare e Alta Bankës. Pra, do ta shpëtojmë bankën. Kjo është shumë e rëndësishme edhe për kreditorët, edhe për njerëzit që kanë çfarëdo marrëdhënieje me Alta Bankën. Kjo është një lajm i keq për opozitën tonë, e cila lutej dhe zhvillonte fushatë çdo ditë se banka do të falimentonte dhe do të shkonte në procedurë falimentimi e kështu me radhë”, tha Mickoski.

Nga ana tjetër, opozitarja LSDM kërkon që Prokuroria të përfshihet në të gjithë rastin. Siç thonë nga kjo parti, faktet janë të qarta dhe, ashtu si në rastin në Serbi, duhet të veprohet edhe në Maqedoni.

Në Serbi, Alta Bankës i është marrë licenca. Është hapur procedura e falimentimit. Është arrestuar pronari Davor Macura. Ka hetim për 380 milionë euro. Në Maqedoni nuk ka asnjë reagim nga Prokuroria. Qytetarët nuk mund të kenë qasje te paratë e tyre, ndërsa ata që e sollën Alta Bankën në Maqedoni, ende po negociojnë për një pronar të ri. Faktet janë të qarta si dita”, tha Bogdana Kuzeska.

Por, nga Prokuroria thonë se Prokuroria Publike hap lëndë në bazë të provave dhe jo në bazë të kërkesave të partive politike. Ndryshe, siç njoftuan nga Banka Popullore, nga sot rritet limiti javor për tërheqjen e parave të gatshme dhe pagesat në pikat e shitjes me kartelat bankare të Alta Bankës. Në vend të 10.000 denarëve sa ishte deri më tani, klientët do të mund të disponojnë me një limit prej 15.000 denarësh në javë.