Nishani rrëzon ligjin për Arsimin e Lartë

TË FUNDIT

Presidenti i Republikës, Nishani, shpalli sot vendimin për të refuzuar dekretimin e ligjit “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, duke vlerësuar se ai bie ndesh me Kushtetutën.

Me dekretin e sotëm, presidenti Bujar Nishani kthen ligjin për rishqyrtim Kuvendit.

Megjithatë impakti i rrëzimit të ligjit është zero, pasi mazhoranca ashtu si herë të tjera që Nishani ka rrëzuar ligjet e saj, i ka rikaluar në Parlament duke i dhënë fuqi ligjore pas miratimit të dytë pa qenë më nevoja të rikalojnë për dekretim.

Presidenti Nishani rendit gjashtë argumentimet që sipas tij, e detyrojnë të rrëzojnë këtë ligj.

“Së pari, vlerësoj se referuar Deklaratës së Bolonjës, është një kusht që për ta siguruar këtë, IAL-të duhet të kenë të garantuar autonominë financiare, organizative, lirinë akademike dhe autonominë në përzgjedhjen e stafit.

Së dyti: Përmes këtij ligji rrezikon të kushtëzohet e drejta për arsimin e lartë nga kriteri i pagesës së tarifave të ndryshme të përcaktuara në ligj, por që mund të arrijnë në shifra të larta të papërballueshme për nivelin mesatar të jetesës në Shqipëri.

Së treti: Ky ligj nuk garanton autonominë e institucioneve të arsimit të lartë dhe lirinë akademike të parashikuar nga Kushtetuta në nenin 57/t të saj”,

Së katërti: Autonomia e IAL në kuptim të Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese vendim nr. 9/2008 cenohet për sa kohë krijohen apo ristrukturohen Agjenci të ashtuquajtura Autonome, të cilat janë në varësi të plotë të Ministrisë Përgjegjëse për Arsimin dhe pretendohet të realizojnë synimet e kësaj reforme në drejtim të cilësisë, konkurrueshmërisë dhe garantimit të mundësive të barabarta mbi bazën e meritës dhe transparencës për të gjithë individët që dëshirojnë të ndjekin studimet e larta.

Së pesti: Autonomia e Universiteteve duket e cenuar edhe nga ndikimi i ekzekutivit në përbërjen e Bordit të Administrimit.

Së gjashti: Ligji në Kreun V të tij përmban dispozita në lidhje me mbarimin e mandatit të strukturave drejtuese të IAL-ve, ndërsa në nenin 131 përcakton rregulla për kufizimin e mandateve të drejtimit, duke cenuar sërish autonominë organizative të IAL-ve”.