Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, ka dalë nga selia e kësaj force politike, për të marshuar drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, aty ku janë mbledhur protestuesit.
Bashkë me deputetë dhe të rinj, Berisha po i drejtohet në këmbë bulevardit para Kryeministrisë.
Para se të mbërrinte në selinë blu, Berisha u shpreh për Euronews Albania se protesta e sotme do të jetë e fuqishme.
Protesta ka moton “Shqipëria në rrezik, mos thuaj ç’më duhet mua”, ndërsa Partia Demokratike ka kërkuar 2 orë leje në policinë e Tiranës.
Dyert e godinës së Kryeministrisë dhe të Kuvendit janë blinduar.
Mbi 1000 efektivë të policisë janë të angazhuar në terren mes të cilëve forca të rendit, të Ndërhyrjes së Shpejtë, repartit Shqiponja dhe punonjës të Gardës.
Ashtu si në protestat e tjera, ka kordon policie para Kryeministrisë, ndërsa Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë do të qëndrojnë në mbikëqyrje të situatës dhe në gatishmëri për çdo rast.
Qe prej orës 16:00 kanë nisur kufizimet në qarkullimin rrugor në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Rruga “Xhorxh Bush” dhe pjesërisht rruga “Zhan Dark”.
