Nis ndërtimi i parkut në Gjilan

TË FUNDIT

Në lagjen Dardania të Gjilanit sot ka nisur puna për ndërtimin e parkut, ku parashihet të ketë një amfiteatër, fushë të futbollit, terrene sportive për basketboll dhe volejboll, fontanë dhe sistem të ujitjes.

Gjithashtu, do të bëhet ndriçimi publik, ndërtimi i trotuareve dhe këndit të lojërave për fëmijë, krijimi i zonave të gjelbra, instalimi i ulëseve për pushim, shporta të mbeturinave, si dhe elemente të tjera rekreative dhe sportive, njoftoi shërbimi komunal i informimit.

Projekti realizohet përmes programit “Kosova e Bukur II”, financuar nga Komisioni Evropian dhe Komuna e Gjilanit, të implementuar nga IOM – i, që pos parkut që do të ndërtohet, janë krijuar 92 vende të reja të punës, duke përfshirë 65 persona të angazhuar përmes Qendrës për Punësim në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me drejtorin e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Kristof Shtok, i shoqëruar nga nënkryetari Rexhep Kadriu dhe drejtorët i prokurimit, në mënyrë simbolike kanë vënë gurthemelin e këtij projekti.

Ndryshe, nga ky projekt që do të kushtoj rreth 240 mijë euro, do të përfitojnë 75 mijë banorë të Komunës së Gjilanit, të cilët mund të jenë pjesë e përditshme e këtij mjedisi rekreativ në një të ardhme të afërt.