Nis aplikimi për vauçerë me vlerë 15.300 denarë! Azizi: Studentët të aplikojnë online

TË FUNDIT

Prej sot (17-të nëntor) e deri më 20 dhjetor të këtij viti, studentët do të mund të aplikojnë për vauçer me vlerë prej 15300 denarë për të blerë paisje elektronike. Zëdhënësja e Qeverisë Venera Azizi për TV21 tha se Ministria e transformimit digjital ka shpallur thirrjen publike, në të cilën të drejtë aplikimi kanë 55 mijë studentë të rregullt dhe me korrespodencë.

“Shuma e përgjithshme është 15.300 denarë, dua që në fillim të theksoj se të gjithë studentët duhet të kyçen në sistemin e E-shërbimeve, në ueb faqen uslugi.gov.mk, dhe aty qëndron edhe linku – Thirrje publike për pajisjen me vauçer elektronik”, tha Venera Azizi.

Por në rast se u dështon aplikimi studentëve, Azizi thotë se duhet të marrin vërtetim në Universitet dhe më pas atë dokument ta ngarkojnë në sistemin e E-shërbimeve, dhe më pas t’i ndjekin hapat e procesit.

“Në rast se u paraqitet problem se nuk janë të regjistruar në evidencën e ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, automatikisht vetë sistemi i alarmon se nuk kanë një evidencë të tillë, nuk janë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, dhe menjëherë u jepet një link tjetër që i drejton në një aplikim tjetër. Njëlloj qëndron thirrja, emri i thirrjes vetëm qëndron edhe formulimi i thirrjes që nuk janë në MASH, aty duhet të ngarkojnë një dokument një vërtetim se janë student të rregullt apo student me korrespodencë, vërtetim të cilin e marrin nga institucioni ku ata studiojnë”, sqaroi më tej Azizi.

Menjëherë sot pas shpalljes, kanë aplikuar rreth 1 mijë studentë. Pajisjet e blera me vauçer duhet të tërhiqen më së voni deri në fund të vitit – deri më 31 dhjetor 2025.