Dy vetura janë përplasur në Nikushtak të Likovës, si pasojë e tymit nga djegia e deponisë. Vozitësit nuk e kanë parë njëri tjetrin dhe janë aksidentuar me çka kanë përfunduar me lëndime, ndërsa të dy veturat kanë përfunduar të djegura.
“Rreth orës 14:00 është raportuar se në rrugën e vjetër Kumanovë-Shkup, në fshatin Nikushtak, në afërsi të një deponie, ka ndodhur një aksident trafiku në të cilin janë përfshirë një Opel Astra me targa të Kumanovës dhe një Shkoda Super B me targa të Kumanovës”, thonë nga MPB.
TV21 pyeti kryetarin e komunës së Likovës se pse po lejohet djegie e deponisë, ndërsa ai u përgjigj:
“Me deponinë menaxhon ndërmarrja komunale, por edhe pse e njëjta e mirëmban, sërish ka persona privat të papërgjegjshëm që hudhin mbeturina për skaj rrugës rajonale dhe i djegin të njëjtat. Kjo sidomos ndodh gjatë të shtunave dhe të dielave. Për ndeshjen që ka ndodhur sot nuk kam shumë hollësi, sepse jam në pushime”, tha Erkan Arifi – kryetar i Likovës.
Ndryshe kjo deponi është krijuar që nga viti 2000. Për të zbutur sadopak pamjen e shëmtuar të deponisë nga Komuna e Likovës para 4 vitesh premtuan se do të ndërtojë një mur rrethues, por asgjë nga ky premtim.
