Gjykatësja e parë e Maqedonisë së Veriut në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe njëherësh kryetare e Institutit për të Drejtat e Njeriut, Margarita Caca Nikolovska, në një intervistë në emisionin “Click Plus” në TV21, foli hapur për gjendjen kritike në sistemin gjyqësor të vendit.
Ajo theksoi se fondet financiare që kërkohen nuk janë të destinuara vetëm për pagat e gjyqtarëve, por janë të domosdoshme për funksionimin e të gjithë sistemit.
“Paratë që kërkohen nuk janë vetëm për pagat e gjyqtarëve, por për gjithçka në gjyqësor”, nënvizoi Nikolovska, duke theksuar se ky institucion ndër vite po përballet me mungesa serioze si në staf ashtu edhe në pajisje.
Sipas saj, mungojnë prokurorë, gjyqtarë, daktilografë, madje edhe resurse bazike të nevojshme për realizimin normal të proceseve gjyqësore.
Nikolovska bëri të ditur se ka pasur momente kur sistemi gjyqësor ka qenë pothuajse i paralizuar, për shkak të problemeve të thjeshta, por tejet kritike për funksionimin e tij.
