Nëse nuk jep dorëheqje, unë do të kërkoj shkarkimin e saj nga Qeveria dhe Bordi Drejtues i Agjencisë. Këtë, në debatin e mbrëmshëm “Klik Plus” të TV21, e paralajmëroi zëvendëskryeministri për luftë kundër korrupsionit dhe krimit, Ljupço Nikollovski, pasi në opinionin publik u paraqitën dyshime për ndarje të granteve nga fonde evropiane, kurse puna e Agjencisë ishte vënë nën hetim jo vetëm nga institucionet vendase, por edhe nga Komisioni Evropian.
“Lidija Dimova ndoshta mendon se nuk duhet të japë dorëheqje, por unë kam mendim tjetër. Do të kërkoj përgjegjësi politike, respektivisht kërkesë për dorëheqje nga drejtoresha e kësaj Agjencie dhe paralelisht me këtë zbardhje të plotë të rastit dhe përcaktim të së vërtetës, që janë procedura të ndryshme nga ato që i zbatojnë organet e tjera”, u shpreh Nikollovski në ClickPlus.
Disa herë kontaktuam me Dimovën dhe kërkuam koment lidhur me paralajmërimet e Nikollovskit për dorëheqjen apo shkarkimin e saj, por ajo thoshte se është e zënë dhe se nuk mund të flasë. Dimova në pres-konferencën që e mbajti të martën, tha se nuk do të japë dorëheqje, pasi këtë e kërkuan nga VMRO-DPMNE-ja.
“Sa i takon VMRO-DPMNE-së e cila kërkon dorëheqjen time, duhet ta zhgënjej dhe t’i tregoj se nuk do të jap dorëheqje derisa nuk zbuloj si janë keqpërdorur 2.2 milionë euro”, na tha Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare, Lidija Dimova.
Nga VMRO-DPMNE-ja, thonë se paralajmërimet për shkarkimin e drejtoreshës Dimova janë vetëm teatro e pushtetit. Edhe pse Nikollovski paralajmëroi se hetimi do të vazhdojë, megjithatë opozita kërkon që Prokuroria Publike të hapë rast.
“Lidija Dimova hyri në një sërë skandalesh që arrijnë shuma të majme parash, kurse nuk është hapur asnjë rast, as nga ana e Prokurorisë Publike, e as nuk është thirrur në pyetje… asgjë”, tha zëdhënësi i DPMNE-së, Dimçe Arsovski.
Ndryshe, lidhur me spekulimet se para evropiane për projekte të ndryshme kanë marrë edhe disa anëtarë dhe persona që lidhen me emra partiakë nga LSDM-ja, por edhe se një familjar i afërt i ministres së tanishme për Punë dhe Politikë Sociale, Jagoda Shahpaska ka qenë refuzuar për subvencione, Nikollovski tha se Qeveria do të punojë në mënyrë transparente dhe pa marrë parasysh për kë bëhet fjalë do t’i zbatojë standardet më të larta të sjelljes etike në të gjitha institucionet.
