Në Aeroportin “Shën Apostull Pavli” në Ohër, mëngjesin e sotëm aterrroi avioni i parë i kompanisë Austrian Airlines, duke shënuar fillimin zyrtar të funksionimit të linjës së re të rregullt ajrore Vjenë – Ohër, transmeton TV21.
Linja do të operojë dy herë në javë, çdo të enjte dhe të diel, duke i siguruar Ohrit dhe Liqenit të Ohrit lidhje të drejtpërdrejtë me një tjetër destinacion evropian.
Vendosja e kësaj linje ka rëndësi të madhe për zhvillimin e aeroportit të Ohrit, pasi aeroporti i Vjenës është një nga qendrat më të mëdha ajrore në Evropë dhe një nga nyjet më të rëndësishme të transportit ajror në Evropën Qendrore dhe Lindore, me mbi 200 fluturime lidhëse në 66 shtete të Evropës, Amerikës së Veriut, Azisë dhe Afrikës. Kjo nënkupton lidhjen e Ohrit me më shumë se gjashtëdhjetë vende të botës.
Rëndësi shtesë ka edhe fakti që kjo linjë operohet nga Austrian Airlines, një nga dhjetë kompanitë më të mëdha ajrore në Evropë, gjë që konfirmon seriozitetin e investimit dhe cilësinë e shërbimeve që u ofrohen udhëtarëve.
Me këtë linjë, nga aeroporti i Ohrit realizohen gjithsej 16 linja ajrore, prej të cilave 13 janë të rregullta dhe 3 çarter, duke përfaqësuar një zgjerim të konsiderueshëm të rrjetit të destinacioneve të disponueshme për qytetarët dhe vizitorët.
Linja e re drejt Vjenës, si dhe linjat e vendosura më parë, pritet të kontribuojnë në tërheqjen e një numri më të madh turistësh të huaj, investimeve të reja, si dhe në rritjen dhe zhvillimin ekonomik të Ohrit dhe rajonit të Ohrit.
Maqedonia e Veriut sot njihet në hartën e shumë operatorëve turistikë dhe kompanive ajrore. Përmes masave aktive mbështetëse po zhvillohet transporti ajror, po rritet potenciali turistik i shtetit dhe po sigurohen shërbime më cilësore dhe më të qasshme për qytetarët. Si rezultat i politikave qeveritare, janë hapur drejtpërdrejt 28 destinacione të reja ajrore.
Përcaktim strategjik i Qeverisë është shfrytëzimi i plotë i kapaciteteve të Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit dhe Aeroportit “Shën Apostull Pavli” në Ohër, përmes zgjerimit të rrjetit të destinacioneve, tërheqjes së kompanive të reja ajrore dhe ofrimit të shërbimeve më cilësore për udhëtarët.
Paralelisht, është duke u zhvilluar rikonstruksioni i plotë i aeroportit të Ohrit me qëllim avancimin e kapaciteteve të tij, përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e kushteve për rritje të mëtejshme të trafikut ajror dhe numrit të pasagjerëve.
Qëllimi është që këtë vit, përmes dy aeroporteve maqedonase, të shërbehen më shumë se 3,5 milionë pasagjerë, ndërsa në vitet e ardhshme ky numër të tejkalojë 4 milionë pasagjerë.
Përmes zbatimit të masave për mbështetje financiare në tërheqjen e kompanive të reja, qytetarëve u mundësohet udhëtim më i lehtë dhe më i shpejtë drejt metropoleve evropiane, gjë që kontribuon drejtpërdrejt në zhvillimin e ekonomisë, arsimit, kulturës, shëndetësisë dhe turizmit.
