Nikolloska: Pyetjet nga Strasburgu nuk nënkuptojnë aktgjykim! Jankulloska: Gjykimi ndaj meje, farsë e zakonshme me epilog të njohur paraprakisht

TË FUNDIT

Pyetjet që Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg ia ka drejtuar shtetit për rastin “Tanku” nuk përbëjnë aktgjykim, por janë fillim i verifikimit të gjendjes faktike për të parë nëse ka shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë. Ky është qëndrimi i gjykatëses së parë të Maqedonisë në GjEDNj dhe presidente e Institutit për të Drejtat e Njeriut, Margarita Caca Nikolloska, në emisionin “Click Plus” në TV21. Ajo e tha këtë si koment ndaj përgjigjeve që Gjykata e Strasburgut i ka kërkuar Qeverisë, pas ankesës së ish-ministres së Brendshme Gordana Jankulloska.

 “Bëhet krahasimi i atyre shkresave apo atyre dy deklarimeve – të Qeverisë dhe të palës – dhe atëherë mund të flasim për përcaktimin e një gjendjeje të caktuar faktike, e cila mund të çojë në konstatimin e shkeljes, në konstatimin e mungesës së shkeljes, ose, nëse dëshironi, edhe në përcaktimin se s’ka nevojë që disa pjesë të aplikimit të shqyrtohen”, tha mes tjerash Margarita Caca Nikolloska, ish-Gjykatëse në GJEDNJ, presidente e Institutit për të drejtat e njeriut.

Sipas saj, për lëndë serioze si “Tanku”, pyetjet nga Strasburgu janë praktikë e zakonshme. Sa u përket pritjeve se kur do të përfundojë procedura, Nikolloska thotë se Gjykata e Strasburgut nuk njihet për shpejtësinë e proceseve, për shkak të numrit të madh të lëndëve.

Nga ana tjetër, Jankulloska këtë hap të Gjykatës e sheh si pjesë të procesit nga i cili pret të konfirmohet shkelja e së drejtës për gjykim të drejtë. Ajo në një intervistë për MIA deklaroi se për të, kënaqësi do të përbënte vendosja e përgjegjësisë nga ana e aktorëve kryesorë, të cilët, siç thotë, “kanë qenë të përfshirë në ndjekjen politike”.

 “Gjykata, në vend që të ishte arbitër i pavarur, ishte partner dhe konsulent i prokurorisë dhe duke vepruar së bashku ata ishin të vendosur që me çdo kusht dhe në afat të shkurtër të shqiptohen dënime me burg për të akuzuarit, kështu që gjykimi ishte një farsë e zakonshme me epilog të njohur paraprakisht. Respektimi i rregullave procedurale, provave dhe së drejtës materiale, lirisht them se ishte në nivel dukshëm më të ulët se ai i proceseve të Nurembergut në kohën kur janë zhvilluar, madje edhe më i ulët se gjykimet gjatë kohës së Informbyrosë, sa i përket realizimit të të drejtave procedurale”, theksoi Gordana Jankulloska, Ish-ministre E Brendshme.

Ndryshe, Jankulloska u dënua me katër vjet burg për rastin “Tanku”, i hapur nga Prokuroria Speciale Publike e atëhershme. Gjykata e shpalli fajtore për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimeve zyrtare. Sipas aktakuzës, ajo e ka ndihmuar ish-kryeministrin Nikolla Gruevski të blejë një “Mercedes” prej 600 mijë eurove për përdorim personal, përmes një tenderi të kurdisur me para të policisë. Ish-ministrja u lirua nga burgu në nëntor të vitit 2023, një vit para skadimit të plotë të dënimit.