“Nikolla Karev” u rikonstruua! Kur do t’i vjen radha “Brigadës Maqedonase-Kosovare”?

TË FUNDIT

Rikonstruimi i bulevardit “Nikolla Karev” nxori në pah edhe më shumë gjendjen e mjeruar të rrugëve anësore të saj. Rasti është me “Brigadën maqedonase-kosovare” e cila përveç se është e ngushtë, është edhe e shkatërruar.

Mungojnë edhe shenjat e komunikacionit, të cilat as nuk japin shenjë se kjo rrugë të mundëson kyçje në bulevard me katër korsi.
TV21: A duhet të zgjerohet?
Banor: -Duhet të zgjerohet urgjentisht dhe të asfaltohet. S’ka as kanalizim”

Por zgjerimi i kësaj rruge do të paraqet problem për banorët që jetojnë rreth rrugës. Ata vlerësojnë se nëse është nevoja le të zgjerohet rruga, por fillimisht atyre duhet t’u sigurohet një vendstrehim.

Banore: “Nëse mundet le të na zhvendosin në ndonjë vend tjetër. Nëse e zgjeron vendin, le të na vendos dikund. Ne këtu në rrugë jetojmë, mos e dhëntë Zoti, do të shkelen fëmijët, çfarë do të bëjmë më pas? Jeta do të na bëhet për askund”.

E pyetëm Qytetin e Shkupit se a ka ndonjë plan për rikonstruim të kësaj rruge? Kryetari Petre Shilegov tha se për të përgjigje duhet të japë Komuna e Çairit.

“Infrastruktura lokale është punë që duhet ta realizojnë komunat e qytetit të Shkupit, ai është investim i tyre. Unë gjithmonë ju bëj thirrje kryetarëve të komunave se aty ku Qyteti bën hapa serioz, ndërton infrastrukturën kryesore, në të njëjtën kohë ta ndjekin atë dhe të investojnë me qëllim që në mikro-lokacion të sigurojmë infrastrukturë cilësore për të gjithë”, tha Petre Shilegov, kryetar i Shkupit.

Nga Komuna e Çairit u përgjigjen me premtim. Thanë se ka plan për asfaltim dhe zgjerim të kësaj rruge dhe premtuam se punimet do të fillojnë gjatë këtij viti.

Në radhë të parë duhet të bëhet zgjerimi dhe rikonstruimi i bulevardeve që janë në territorin e Komunës së Çairit, ndër ta është edhe bulevardi ‘Brigada maqedono – kosovare” e cila pritet që shumë shpejtë të rikonstruohet. Respektivisht gjatë këtij viti pritet të fillojë procesi i punës për zgjerim dhe asfaltim të tërësishëm të këtij bulevardi”, tha Kushtrim Alla – zëdhënës i Çairit. Kjo rrugë konsiderohet të jetë ndër më të frekuentuarat, pasi lidh bulevardet si “Brigada maqedonase” dhe “Nikolla Karev”, kurse nëpër të qarkullon edhe linjë e transportit publik.  Asfaltimi i kësaj rruge ishte pjesë e “Kontratës” së kryetarit të Çairit, Visar Ganiu.