Kreu aktual i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj ka paralajmëruar fitore në zgjedhjet e sotme që u zhvilluan në këtë komunë të Malit të Zi, përcjell TV21. Votimi në komunën me 12.387 banorë ka mbaruar në ora 20:00, ndërsa Gjeloshaj ka kërkuar nga simpatizantët që të mblidhen për të festuar fitoren e Forumit Shqiptar.
“Të dashur bashkëqytetarë, dëshiroj t’ju falënderoj për atmosferën e qetë dhe demokratike gjatë votimit të sotëm për zgjedhjet lokale.
Ju keni dëshmuar se jeni shembull i sjelljes së shkëlqyer, përgjegjësisë, seriozitetit dhe shkallës së lartë të vetëdijes demokratike.
Prandaj ju ftoj që të presim rezultatet përfundimtare në një atmosferë paqësore dhe t’i mundësojmë autoritetit kompetent numërimin e votave në mënyrë të drejtë dhe të saktë. Njoftoj të gjithë mbështetësit e Forumit shqiptar se pas shpalljes së rezultateve do të bashkohëmi dhe do të festojmë fitorën madhështore të Forumit shqiptar në ambientet e restorantit Troja”, ka shkruar Gjeloshaj në rrjetet sociale.
Kuvendi i kësaj komune ka 32 këshilltarë. Në zgjedhjet lokale garuan shtatë lista zgjedhore, përfshirë katër koalicione.
Në garë ishin: Koalicioni “Forumi Shqiptar – Bashkim dhe Zhvillim” – Alternativa Shqiptare (AA), Aleanca Demokratike e Shqiptarëve (DSH), Unioni Kombëtar Shqiptar (UKSH) dhe Aleanca Demokratike e Malit të Zi (DSCG), koalicioni shqiptar “Bashkë” – Partia Demokratike (PD) dhe Forca, koalicioni “Rrugës së drejtë” – Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), Unioni Demokratik i Shqiptarëve (UDSH), Partia Boshnjake (BS) dhe Social Demokratët (SD) dhe “Me gjithë zemër për Tuzin” – Partia Socialdemokrate (SDP) dhe Lëvizja për Tuzin.
Nga subjektet politike garuan: “Më të fortë jemi së bashku” – Demokratët, “Për Tuzin me nderë” – Partia Popullore Socialiste (SNP) dhe “Për gjeneratat e ardhshme” – Partia për Drejtësi dhe Pajtim (SPP).
Statusin si komunë e pavarur – që i ishte marrë nga viti 1958 – Tuzi e rifitoi në shtator të vitit 2018, duke u ndarë nga kryeqyteti i Malit të Zi. Dekada më parë, Tuzi ishte pjesë administrative e Podgoricës dhe më pas një prej komunave të kryeqytetit.
Për pothuajse dy dekada, kërkesa kryesore politike e partive shqiptare, por edhe e diasporës, ishte që Tuzi të bëhej komunë.
Në zgjedhjet e para të mbajtura më 2019, Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit Millo Gjukanoviq fitoi pushtetin në Tuz.
Shumica e votave u fituan nga koalicioni i partive shqiptare, Forumi Shqiptar, që mbështetej nga një këshilltar demokrat. Ata formuan qeverisjen lokale të udhëhequr nga Nik Gjeloshaj.
