Nicole Kidman dhe Keith Urban janë ndarë pas gati 20 vitesh martesë, raportoi fillimisht TMZ, ndërsa lajmi është konfirmuar edhe nga burime të BBC-së.
Çifti u martua në qershor të vitit 2006 dhe ka dy vajza: Sunday Rose, 17 vjeçe, dhe Faith Margaret, 14 vjeçe. Sipas raportimeve, ata jetonin të ndarë që nga vera, ndërsa thuhet se Kidman nuk ka qenë pro këtij vendimi. Arsyet e ndarjes mbeten ende të paqarta.
Pavarësisht sfidave, aktorja fituese e Oscar-it dhe këngëtari i njohur i muzikës country, katër herë fitues i çmimit Grammy, kanë ndarë së bashku shumë momente kulmore në karrierat dhe jetën e tyre. Martesa e tyre u vu në provë vetëm pak muaj pas dasmës, kur Urban u regjistrua në një qendër rehabilitimi për varësinë nga droga dhe alkooli. Një ndërhyrje e organizuar nga Kidman dhe miqtë e tij, sipas këngëtarit, i ndryshoi jetën.
Në vitin 2010, Urban deklaroi se mbështetja e aktores i kishte dhënë forcë dhe e kishte ndihmuar të hapte një kapitull të ri. Megjithatë, gjatë dy dekadave, ata u shfaqën gjithmonë të bashkuar në ngjarje të rëndësishme të showbiz-it, duke mbështetur publikisht karrierat e njëri-tjetrit.
Çifti u pa për herë të fundit së bashku në publik në qershor, në Nashville, si dhe në maj, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve ACM, ku Urban u nderua me Çmimin Triple Crown.
Kidman ka qenë më parë e martuar me aktorin Tom Cruise për më shumë se një dekadë. Ata kanë dy fëmijë të adoptuar dhe martesa e tyre përfundoi në vitin 2001.