Niashni: Kosova me Specialen po mbron imazhin e saj

TË FUNDIT

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, e ka vlerësuar vendimin e Kuvendit të Kosovës për ta themeluar Gjykatën Speciale.
Nishani në një intervistë për “Albanian Daily News” ka thënë se lufta çlirimtare e Kosovës ka qenë dhe do mbetet një nga epopetë më të ndritura të historisë së kombit shqiptar.

“Parlamenti i Kosovës përmes atij amendamenti mori përsipër përgjegjësitë politike që i takojnë për të mbrojtur imazhin, dinjitetin dhe legalitetin e institucionit më të lartë të Republikës siç është vetë Parlamenti. Prej vitesh janë hedhur akuza publike për krime në Kosovë gjatë luftës çlirimtare, por asnjëherë të adresuar konkretisht dhe asnjëherë të bazuara në prova. Në doktrinën e jurisprudencës pretendimi përmes akuzave është i njohur. Ato duhen hetuar dhe bazuar mbi prova më pas. Ka pasur akuza ndaj luftëtarëve të UÇK deri në Gjykatën e Hagës. Ata janë paraqitur atje dhe akuzuesit kanë dështuar. Liderët politik të akuzuar kanë konfirmuar pafajësinë e tyre nga një gjykatë e besueshme dhe e pavarur dhe sot askush nuk mundet t’i akuzoj dot më ata qoftë për interesa politike qoftë për interesa të tjera. Lufta çlirimtare e Kosovës ka qenë dhe do mbetet një nga epopetë më të ndritura të historisë së kombit shqiptar”, ka thënë presidenti Nishani.

Ai ka thënë se UÇK-ja u krijua nga djemtë dhe vajzat më të mirë të Kosovës në mbrojtje ndaj gjenocidit dhe makinerisë vrastare të Serbisë së Millosheviqit.

“UÇK-ja ishte aleati më i afërt i NATO-s, i aleancës më demokratike dhe të suksesshme në botë. Dëshmorët dhe kontribuuesit e asaj lufte do mbeten përjetësisht në altarin më të nderuar të kombit shqiptar. Askush nuk do mundet ta cenojë këtë. UÇK-ja dhe lufta e saj, NATO dhe ndërhyrja e saj, sollën lirinë dhe shpëtimin e një populli të tërë. Kushdo që ka një pretendim për krime të supozuara, tashmë ka një gjykatë për t’u drejtuar dhe për t’i vërtetuar. Koha e akuzave politike lart e poshtë mbaroi”, ka deklaruar Nishani.

Presidenti Nishani në këtë intervistë ka folur edhe për zhvillimet në Shqipëri. Ai ka thënë se detyra më e vështirë e një presidenti është balancimi i pushteteve, por sipas tij, Qeveria e ka shpërfillur rolin e tij në reformën në Drejtësi.

Nishani ka vlerësuar pozitivisht përpjekjet dhe reformat e qeverisë “Rama”, ndërsa heqjen e fotos së presidentit nga Kryeministria e quan “akt arrogant”.

Nishani shprehet në të njëjtën linjë me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, sa i përket situatës ekonomike në vend, arsyes së largimit të shqiptarëve dhe situatës në rajon.

Ashtu si kryeparlamentari Meta, Nishani thotë se shqiptarët po largohen nga vendi, për shkak të gjendjes ekonomike jo të mirë, duke shtuar se nuk beson se kjo do të çojë në heqjen e regjimit të vizave me Gjermaninë.

Nishani shpreh shqetësimin për borxhin publik, duke e vënë gishtin te rezultatet e Doganave dhe Tatimeve, që sipas tij, nuk po e realizojnë siç duhet punën e tyre. Sa i përket sistemit gjyqësor në vendin tonë, presidenti mendon se ai përfshin shumë probleme që kërkojnë trajtim të thellë.
Në këtë pikë, ai përmend iniciativën e tij për një tryezë të rrumbullakët për një reformë në drejtësi, në tetor 2014, e cila sipas tij u bllokua nga Qeveria, kur ajo mori kontrollin.

Sipas tij, në sistemin tonë të drejtësisë, ka prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar, të cilët vihen në shërbim të politikës dhe për aq kohë sa politika nuk ka një qëndrim serioz në luftën kundër korrupsionit, ata nuk do të penalizohen kurrë.