Ngushëllimet për vdekjen e akademik Pajazit Nushit

TË FUNDIT

Udhëheqësit e institucioneve shtetërore, personalitete të jetës politike dhe publike të vendit i kanë dërguar sonte telegrame ngushëllimi familjes së akademikut të ndjerë Pajazit Nushi, si dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe mbarë kombit shqiptar. Në to vlerësohet lart kontributi i tij për arsimin dhe shkencën e Kosovës, si dhe për çështjen kombëtare.

“Me pikëllim dhe dhimbje të thellë e mora lajmin për ndarjen nga jeta të Akademik Pajazit Nushit, njeriut që tërë jetën ia kushtoi arsimit, edukimit, shkencës dhe çështjes sonë kombëtare”, shkruan presidentja e Republikës Atifete Jahjaga, duke shtuar se “ndarja nga jeta e Akademik Pajazit Nushit, simbolit të dijes dhe të paqes, është humbje e madhe jo vetëm për familjen, miqtë edhe bashkëpunëtorët, porpër gjithë Kosovën”.

Kryeministri Isa Mustafa ngushëlloi familjen Nushi dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, duke e quajtur akademik Nushin “një ndër figurat më të shquara të shkencës, arsimit dhe të kulturës në Kosovë”.

“Ndarja nga jeta e Pajazit Nushit është një humbje shumë e madhe për familjen, për shkencën, arsimin, kulturën dhe Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Akademik Nushi, me përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm, ka dhënë kontribut shumëdimensional për Kosovën, duke qenë ndër të tjera edhe një figurë e spikatur në fushën e mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut në Kosovë. Me jetën dhe veprën e tij, akademik Pajazit Nushi, do të mbetet përherë në memorien e popullit të Kosovës si një nga personalitetet më të shquara të kohës sonë”, thuhet në telegramin e kryeministrit Mustafa.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj shkruan se me dhimbje e keqardhje të thellë ka marrë lajmin për ndarjen nga jeta të “mikut, profesorit të nderuar dhe veprimtarit të shquar, akademik Pajazit Nushit”.

“Do të kujtohet përherë kontributi i çmuar dhe angazhimi i akademik Pajazit Nushit në fushën e shkencës si dhe veprimtaria e tij politike në shërbim të çështjes kombëtare, zhvillimit të demokracisë si dhe promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut përgjatë gjithë etapave të zhvillimeve në vend”, shkruan Haradinaj.

Kryetarja e Gjakovës Mimoza Kusari – Lila shkruan se “Gjakova, Kosova dhe kombi shqiptar u ndanë nga njeriu i dijes dhe i pendës, nga profesori dhe njeriu i urtë dhe i guximshëm i historisë tonë të re”.

Kusari – Lila përkujton se një vit më parë, Komuna e Gjakovës e nderoi Akademikun e nderuar me titullin “Gjakovar i Ndritur”, “ashtu sikur akademiku gjithmonë ndriçoi emrin e Qytetit, Shtetit dhe kombit që përfaqësoi”.

“E përhershme do mbetet vlera e veprës së Tij dhe të paharruara do të mbesin gjurmët e përkushtimit jetësor të Akademik Pajazit Nushit”, shkruan e para e Gjakovës.

Ministri I Drejtësisë Hajredin Kuçi Me rastin e vdekje së Akademik Pajazit Nushit, ka shprehur “ndjenjat më të larta të respektit për emrin, jetën dhe veprën e tij të pavdekshme”.

“Akademik Pajazit Nushi do të kujtohet dhe nderohet gjithmonë për kontributin e tij të shquar në ar simin dhe shkencën kosovare. Ai ishte pedagog, shkencëtar, humanist dhe mbrojtës e promovues i lirive dhe të drejtave të njeriut në Kosovë”, shkruan Kuçi.

Ai shton se ka pasur fatin që me Akademik Pajazit Nushi të bashkëpunojë në Universitetin e Prishtinës, në KLMDNJ, në Komisionin Qeveritar për të Zhdukur dhe nga ky bashkëpunim ruan kujtime të paharruara.

“Akademik Pajazit Nushi ishte një prej themeltarëve të Institutit për Hulumtime dhe Krime të Luftës, në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, në të cilën dha kontributin e tij të çmuar për çka jemi shumë mirënjohës.

Të gjithë do të ndjenjë mungesën e Akademik Pajazit Nushit i cili ka lënë pas një trashëgimi të vyer që sot t’u shërbejë edhe brezave të ardhshëm”, shkruan ministri i Drejtësisë Kuçi.

Ngushëllime familjes Nushi, Akademisë së Shkencave dhe mbarë popullit shqiptar i ka shprehur me një telegram ngushëllimi edhe Partia e Drejtësisë.

“Akademik Pajazit Nushi, njihet për kontributin e tij të paçmuar në fushën e arsimit dhe edukimi të brezave, por edhe si një njeri që punoi shumë për çështjen tonë kombëtare, andaj bashkëndajmë dhimbjen me familjarët dhe të gjithë ata që njohën këtë personalitet të pashoq të trojeve shqiptare”, thuhet në telegramin e Partisë së Drejtësisë.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës Kadri Veseli dhe zëvendëskrieministri dhe shef i deplomacisë së Kosovës Hashim Thaçi e kanë ngushëlluar familjen Nushi përmes facebook-ut.

“Ngushëllime Familjes së Akademikut të nderuar, Pajazit Nushi! Në memorien tonë kolektive, Profesor Nushi do të mbetet si njëri nga veprimtarët e palodhur i të drejtave të njeriut, pedagog i nderuar i Universitetit të Prishtinës dhe autor i shumë teksteve që kanë vënë bazat e dijeve psikologjike te ne”, ka shkruar kryeparlamentari Veseli.

Ndërkaq, zëvendskryeministri Thaçi ka shkruar:
“Ngushëllime të sinqerta familjes Nushi me rastin e vdekjes se Prof. Dr. Pajazit Nushit, pishtarit të shkencës dhe arsimit kosovar, aktivistit të të drejtave të njeriut, i cili i tregoi botës për dhunën dhe viktimizimin e Kosovës”.