Më së shumti ajri në Maqedoni ndotet nga automjetet e vjetra, thotë Ministri i Mjedisit, Naser Nuredini, duke shtuar se shteti duhet të investojë në transportin publik.
“Ne të gjithë duhet të bëhemi të vetëdijshëm me çfarë ngrohemi, biomasa me standarde është e nevojshme, nuk duhet materiale kancerogjene. E dyta, pjesa më e madhe e vjen nga automjetet. Për fat të keq automjetet tona janë mesatarisht deri në 20 vjeçare. Kjo do të thotë që ne si shtet, si qytete, të gjithë duhet të investojmë në transportin publik”, tha Naser Nuredini, ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
Pasi foli për format e transportit, Nuredini u pyet se çfarë mund të ndërmerr Ministria Mjedisit, përderisa ka mungesë të transportit publik dhe për këtë qytetarët detyrohen të lëvizin me vetura private, të cilat ndosin.
“Pushteti qendror nuk mund të intervenojë te pushteti lokal kjo është e shkruar në kushtetutën e shtetit tonë. Ne mund të propozojmë se çfarë masa do të merr pushteti lokal dhe dje bisedova me Qytetin e Shkupit dhe u shpreh se ka filluar të marrë masa të ndryshme. Tani për transportin publik të qyteteve ose komunave, unë nuk mund të përgjigjem po kërkoj nga gjithë komunat. -Çfarë kërkoni nga komunat?-Ne kërkojmë nga komunat që bëjnë çfarë është e mundur në kapacitetin e vet”, deklaroi Naser Nuredini, ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
Ndryshe në paraqitjen e tij të fundit para mediave Ministri Naser Nuredini prezantoi buxhetin e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për vitin 2023, ku ndër pikat kryesore që do bëhet investim është uji i pastër për pije në çdo shtëpi. Ky program kap vlerën mbi 250 milionë denarë, ndërsa përmes tij do të përkrahen komunat për ujësjellës dhe kanalizim.
