Prej sot është ulur dhe është ngrirë çmimi i makaronave dhe i bulmetit, për 15 dhe 10%, sipas vendimit që Qeveria e mori ditë më parë dhe që do të zgjasë deri në fund të majit.
Për të parë nëse po zbatohet vendimi, në terren dolën Kryeministri Dimitar Kovaçevski, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe Drejtori i Inspektoratit të Tregut, Goran Trajkovski.
“Sot të gjithë kemi mundur të sigurohemi që kjo ulje çmimesh të respektohet nga prodhuesit dhe nga tregtarët dhe e njëjta gjë vlen edhe për uljen e çmimit të bukës edhe për ngrirjen e çmimeve të makaronave, pra uljen e çmimit të qumështit.”- Dimitar Kovaçevski, Kryeministër i RMV-së.
Drejtori i Inspektoratit të tregut, Goran Trajkovski, u shpreh se nëse tregtarët nuk e respektojnë vendimin, do të shqiptohen gjoba prej 800 deri në 10 mijë euro.
“Aktualisht deri më tani ka pasur ulje të çmimeve. Më shumë se 160 inspektorë ndodhen në terren në të gjithë vendin tonë. Siç thash edhe më herët, gjatë ditës do të dalim me informacione më të detajuara dhe apeloj si drejtor, meqenëse ka pasur një periudhë gjashtëditore që tregtarët të përshtaten me këtë vendim, bëj apel që të bëjnë njëjtë, sepse në Ligjin e Tregtisë sanksionet janë të larta, nga 800 deri në 10.000 euro.”- deklaroi Goran Trajkovski, Drejtor i Inspektoratit të Tregut.
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, foli për masat e reja që do të përpilohen.
“Deri në fund të javës ne do të përgatisim informacione deri te Kryeministri, me analiza të detajuara, për çdo prodhim dhe ato analiza do të dizajnohen, do të krijohen të dhëna të reja, që do të pasojnë në muajin prill.”- tha Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.
Kreu i opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, edhe sot me akuza se Qeveria është e paaftë dhe pa kredibilitet, gjersa theksoi se inflacioni në vendin tonë është 2 herë më i madh se në Europë.
“Unë nuk pres asgjë më shumë se sa përkeqësimi i gjendjes dhe një nga arsyet se pse ne si VMRO-DPMNE është pikërisht kjo, që këta njerëz pa ide të shkojnë dhe të vijnë njerëz që dijnë se si të përballen me sfidat. Zgjidhje të tilla ad-hoc nuk janë zgjidhje. Vetëm të ju rikujtoj se Maqedonia si shtet ka inflacion dyfish më të lartë sesa ai në eurozonë”- tha Hristijan Mickoski kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Përndryshe Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi tha se shporta e konsumatorit në vendin tonë po llogaritet gabimisht, pasi sipas tij, shporta sindikale e konsumatorit në vendin tonë nuk është 50.000 denarë, por nuk kalon 43.000 denarë.