Ngrihet aktakuzë ndaj reperit Fero për dhunë në familje, ngacmim seksual dhe kanosje

TË FUNDIT

Reperi i njohur nga Gjilani, Feronit Shabani – i njohur në publik me emrin artistik Fero – është zyrtarisht i akuzuar nga Prokuroria Themelore në Gjilan për tri vepra të rënda penale: dhunë në familje, ngacmim seksual dhe kanosje.

Sipas aktakuzës së siguruar nga Paparaci, Fero akuzohet se ka ushtruar dhunë psikologjike dhe sjellje kërcënuese ndaj ish-bashkëshortes së tij, modeles Arbenita Ismajli, në periudhën qershor – tetor 2024.

Aktakuza gjithashtu përfshin detaje shqetësuese të kërcënimeve të Feros, përmes mesazheve në WhatsApp, përfshirë fjalët: “Ke me ma ni krismën… të vraj… ta nxjerri shpirtin prej vendit… fëlqitë nga vendi t’i thej…”.

Sipas Prokurorisë, këto ishin përpjekje për të frikësuar dhe kontrolluar emocionalisht Arbenitën, duke përbërë kështu vepër penale të kanosjes serioze.

Fero ishte arrestuar për herë të parë më 11 korrik 2023, për sulm fizik ndaj ish-bashkëshortes. Tashmë, me aktakuzën e ngritur në dhjetor 2024, Prokuroria kërkon dënimin e tij sipas ligjit dhe ka paraqitur provat përkatëse për të mbështetur akuzën.

Avokatja e të akuzuarit, Bedri Shabani, ka konfirmuar për mediat ekzistencën e aktakuzës, por ka refuzuar të komentojë për detaje, duke u thirrur në “natyrën familjare” të rastit.

Ndërkohë, Fero është rikthyer në muzikë pas një pauze dyvjeçare, duke publikuar një projekt të ri pak muaj më parë. Por këto zhvillime ligjore mund të rrezikojnë seriozisht karrierën e tij, ndërkohë që çështja mbetet në duart e drejtësisë.