Ngrijnë çmimet e vezëve dhe orizit/ Një vezë do të kushtojë deri më 9,8 denarë

TË FUNDIT

Qeveria solli vendim për ngrirjen e çmimit të vezëve dhe orizit. Kryeministri Dimitar Kovaçevski, tha se ngrirja do të jetë në nivelin e çmimeve që janë zbatuar deri më 15 mars të këtij viti, ndërsa do të vlejë deri më 30 prill. Për shkak të kërkesës së lartë për vezë nga vendet e rajonit, është kufizuar eksporti i vezëve dhe prodhuesit do të duhet të furnizojnë tregun vendor me së paku 70% të prodhimit të tyre.

“Sollëm vendim për ngrirje të mëtejshme të çmimeve të produkteve bazë ushqimore mes të cilave edhe për vezët e pulave dhe orizin, me çka çmimi i tyre më i lartë do të mbetet në nivelin e çmimeve që janë zbatuar më 15 mars të vitit 2023 dhe do të vlejnë deri më 30 prill të këtij viti. Për këtë qëllim ndërsa për shkak të festave të Pashkëve dhe Bajramit, me qëllim që të parandalohet disbalanci i tregut vendor dhe mungesa e vezëve të pulës, prodhuesit më së paku 70% të prodhimeve të tyre do t’i plasojnë në tregun vendor.”- deklaroi Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.

Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi kumtoi se sa do të jetë çmimi i vezëve.

“Çmimi mesatarë i vezëve në RMV është rreth 8,5 denarë dhe më së shtrenjti mund të jetë 9,8 denarë për një vezë, varësisht prej paketimit dhe ambalazhit dhe ngjashëm, varësisht nga kompanitë në pjesën e shpenzimeve që kanë. Është shumë e rëndësishme të theksohet fakti se është rritur kërkesa për prodhimin e vezëve nga vendi jonë posaçërisht nga shtetet fqinje.”- tha Kreshnik Bekteshi, Ministër I Ekonomisë.

Bekteshi informoi se së shpejti mund të pritet edhe ngrirja e çmimit të pemëve dhe perimeve, gjë për të cilën për momentin po bëhen analiza në Ministrinë e Bujqësisë.