Ngecje e raealizim i ngadaltë i projekteve strategjike! Jepen shuma të mëdha për norma interesi, kostot rriten shkaku i vonesës

TË FUNDIT

Paguhen shuma të mëdha parash të qytetarëve, kurse disa projekte strategjike nuk lëvizin nga vendi ose realizimi i tyre vonon shumë. Kjo është konstatuar në revizionin që bëri Enti Shtetëror për Revizion. Në raport nënvizohet se gjatë menaxhimit me investimet publike mungon një kornizë sistematike juridike dhe procedura, institucione kompetente dhe indikatorë të përcaktuar për sistemin e monitorimit dhe mbikëqyrjes së zbatimit të investimeve publike, që kontribuon për mosndërmarrje të masave korrigjuese me kohë. Në revizionin janë përfshirë projektet kryesore infrastrukturore siç është autostrada Kërçovë-Ohër, rruga Shtip-Radovish, rehabilitimi i hekurudhës Kumanovë-Beljakovcë – faza e parë, rindërtimi i hekurudhës së Korridorit 10 si dhe ndërtimi i një Qendre klinike rajonale në Shtip.


“Kostot më të larta se ato që ishin planifikuar fillimisht janë pasojë e lidhjes së marrëveshjeve për huamarrje me kreditorët zyrtarë dhe dypalësh, kurse mos krijimi i kushteve për zbatimin e projekteve përmes një përgatitjeje adekuate të projektit dhe dokumentacionit të projektit, shkaktojnë ngecje dhe dinamikë të ngadaltë në realizimin e projekteve”, thonë nga Enti Shtetëror për Revizion.  

Për projektet që janë përfshirë në këtë revizion, janë krijuar shpenzime prej 58 milionë eurove për provizion të njëhershëm, norma interesi për mjete të tërhequra dhe provizion për mjete të patërhequra. Për shkak të vonesës së realizimit të këtyre projekteve, përveç se shpenzohen shuma të majme parash, ka rrezik edhe për humbje të grantit.

Duke bërë analizë të të hyrave të NP për “Rrugë Shtetërore”, Enti për Revizion ka konstatuar se të ardhurat janë më të vogla se vlera e investimeve të përgjithshme në nivel vjetor, me përjashtim të viteve 2020 dhe 2021, gjë që shkakton pasiguri sa i takon realizimit të investimeve në infrastrukturën rrugore.

Revizorët kanë vënë në pah se shumica e projekteve që realizohen nga ana e “Rrugëve Shtetërore” kanë filluar në periudhën 2014-2016.

“Situata të këtilla komplikojnë procedurat e mëtutjeshme për vazhdimin dhe realizimin e projekteve nga ana e Qeverisë së RMV-së dhe institucioneve kompetente, me rrezik për rritje të çmimit të projektit, kosto shtesë dhe menaxhim efikas të projekteve”, theksojnë nga Enti Shtetëror për Revizion.

Me qëllim që të tejkalohen këto situata, efekte dhe rezultate, në raportin revizor janë dhënë disa rekomandime në drejtim të përmirësimit dhe avancimit të gjithë procesit të menaxhimit me investimet publike. Një nga rekomandimet është që Qeveria, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve dhe Ministria e Financave, menaxhimin me investimet publike ta bazojë në studime fizibiliteti të punuara në mënyrë cilësore, dokumentacionin e mirë të projektet dhe parimet e menaxhimit të mirë të projektit, duke ndjekur praktikat e mira ndërkombëtare.