Tash për tash nuk ka nevojë për shpallje të gjendjes së krizës, sepse edhe pse ende janë aktive, disa nga zjarret tashmë janë lokalizuar. Këtë e deklaroi drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angellov i cili shton se edhe pse ka dëm material, është sukses që nuk ka asnjë viktim. Komuna, por edhe Qeveria merr pjesë në riparimin e dëmit të shkaktuar. Që nga mëngjesi i sotëm, dy helikopterë vazhdojnë t’i shuajnë zjarret aktive, por për shkak të temperaturave të larta, në mesditë nuk guxojnë të fluturojnë.
“Herët në mëngjes fluturuan dy helikopterë që shuan zjarrin në Koçan, kur u rrit temperatura e ajrit dhe kur erdhi deri te lodhja, për shkak se pas një kohe duhej të bënin pauzë, ata u tërhoqën në bazë. Me rënien e temperaturës ata përsëri do të fluturojnë. Shuarja e zjarreve të tilla i vendos njerëzit në rrezik. Dëmet materiale do t’i kompensojmë, një pjesë nga shteti, një pjesë vetë natyra. Drunjtë përsëri do të mbijnë por jetët e humbura nuk mund të kthehen”, deklaroi Angellov.
Dje, gjatë ballafaqimit me zjarret të cilat tërbonin thuajse në të gjithë Maqedoninë, në funksion ishte vetëm një helikopter. Në një moment, kur helikopteri e shuante zjarrin te fshati Staro Narogiçan, është menduar – se si helikopteri i njëjtë të dërgohet edhe në Koçan.
“Kur në orët e vona të pasdites zjarri në Koçan u bë shumë i rrezikshëm dhe erdhi në afërsi të shtëpive, kërkova nga komandanti menjëherë të riorientojë helikopterin nga Nagoriçani për në Koçan, por helikopteri ka punuar kohë të gjatë kështu që kishte karburant sa për të shkuar në Koçan dhe për t’u kthyer, thjeshtë nuk kishte mjaftueshëm karburant”, tha më tej ai.
Angellovi ankohet se me dekada të tëra nuk është investuar në pajisje dhe resurse për shuarje të zjarreve. Dje, kjo sërish u dëshmua në terren, kur nga gjithsej 3, në dispozicion ishte vetëm 1 helikopter, kurse era e fortë në mënyrë shtesë e përhapte zjarrin.
“Gjatë ditës së djeshme në dispozicion ishte vetëm një helikopter. Gjatë natës, i dyti u servisua në vendin e ngjarjes. Komandanti i WING-ut, të punësuarit në WING bëjnë përpjekje mbinjerëzore që të aftësojnë edhe helikopterin e dytë që të mundet sigurt të fluturojë”, sqaron Angellov.
Angellov tha se ai tashmë ka biseduar me Qeverinë për rinovimin e resurseve për shuarjen e zjarrit në të ardhmen. Ai gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm që të mos shkaktojnë zjarr duke hedhur cigare ose duke ndezur zjarr. Duke iu përgjigjur pyetjes për marrjen e përgjegjësisë, ai tha se së pari duhet të shuhen zjarret, sepse po digjet i gjithë vendi, dhe nëse konfirmohet përgjegjësia e tij, atëherë ai do të japë dorëheqje dhe, siç tha, do të largohet nga vendi.
