Nga Shkupi me biçikletë u nisën për në haxh, planifikojnë për 2 muaj të arrijnë në Meke

TË FUNDIT

U përshëndetën me familjarët e shoqërinë, dhe me biçikletë u nisën nga Shkupi për në Mekë.

Qamuran Hirda dhe shoku i tij Adem Ajiç nga Bosnja, planifikojnë që për 2 muaj të arrijnë në Mekë. Me që po nisen me biçikletë do të udhëtojnë vetëm gjatë ditës për çështje sigurie, ndërsa natën do të pushojnë në ndonjë hotel apo në tendën që kishin marrë me vete.

“Po më thonë shumë disa, pse nuk shkon me aeroplan ti, pse ti shkon me biçikletë?! Dikush që nuk e kupton i them: Me biçikletë e shoh gjithçka para vetes, majtas-djathtas, e shijoj natyrën si e ka falur Zoti ashtu. Dhe dua ta shijoj edhe këtë mënyrë, edhe këtë obligim që e kam fetar dua ta kryej në këtë mënyrë të sportit”, shprehet Hirda.

Adem Ajiç tregon se ka qenë i përgatitur prej më herët për të shkuar në haxh me biçikletë.

“Tashmë një vit bëj përgatitje psikofizike. Thjeshtë, ndodhi kjo. As unë nuk e besoj se kur të dal në pension do ta kryej obligimin e pestë islame në një prej mënyrave më të vështira. Thonë, lehtësoje punën për veten, mos e vështirëso. Por jam i bindur se kjo ka të bëjë me hallallin, sepse në Islam ka zero tolerancë për hallallin dhe haramin”, vlerëson Ajiç.

Megjithatë Qamurani thotë se ka bërë edhe udhëtime tjera duke shkuar deri në Çanakale, ai gjithashtu porositi të gjithë qytetarët që të mos udhëtojnë me vetura ta ndotin ajrin por ta përdorin më tepër biçikletën.