Nga pagesat e autostradave, Maqedonia për 5 muaj ka mbledhur 31 milionë euro

TË FUNDIT

Që nga fillimi i vitit deri në qershor, nga arkëtimi i tarifave të autostradës, respektivisht nga pikat e pagesës në vend janë mbledhur një rekord prej 1.919.775.277 denarësh, ose mbi 31 milionë euro, përcjell TV21. Krahasuar me vitin 2025, janë arkëtuar 21.891.532 denarë më shumë, informuan nga Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore (NPRRSH).

Stacioni më i frekuentuar i pagesës së autostradës është Tetova, i ndjekur nga Petroveci, Rramanlia, Gllumova, Milladinovci, Zhelina, Gostivari, Stobi, Kadrifakova, Preodi, Sopoti, Demir Kapia, Otovica dhe Gjevgjelia.

Sipas të ardhurave të mbledhura dhe çmimeve të biletave, të ardhurat më të larta janë realizuar në Rramanli, pasuar nga Milladinovci, Petrovec, Gllumova, Zhelina, Tetova, Stobi, Preodi, Gostivari, Sopoti, Gjevgjelia, Kadrifakova, Otovica dhe Demir Kapia.

Nga NPRRSH thonë se sa herë që ka rritje të fluksit të trafikut në stacionet e pagesës, veçanërisht gjatë sezonit veror, përgatitet një plan veprimi me të cilin vihen në funksion të gjitha korsitë e disponueshme në stacionet e të dy korridoreve.

Njëkohësisht, përparësi i jepet pagesës elektronike përmes M-Tag, ku të paktën një korsi është gjithmonë në funksion. Në këtë mënyrë, automjetet kalojnë pa u ndalur. Gjithashtu përdoret edhe M-Card, e cila mundëson kalim pa kontakt me punonjësit.

Pagesa elektronike përbën 36 për qind të qarkullimit të përgjithshëm në 11 stacionet e pagesës ku është vendosur ky sistem.

Nga NPRRSH theksojnë se të dhënat për shitjen dhe rimbushjen e pajisjeve elektronike tregojnë rritje të përdorimit të pagesës elektronike me 6 për qind, veçanërisht pasi pajisjet M-Tag janë bërë të disponueshme edhe në rrjetet shitëse të operatorëve celularë.

Që nga maji i këtij viti, M-Tag mund të blihet edhe në rrjetin shitës të Makedonski Telekom dhe A1 Maqedoni, ndërsa më parë ishte i disponueshëm vetëm në NPRRSH ose në stacionin e pagesës në Petrovec.

Drejtuesit e NPRRSH-së kanë bërë të ditur se po shqyrtohet edhe mundësia e futjes së një modeli të pagesës së autostradave sipas shembullit të Serbisë, përkatësisht një sistem i mbyllur ku pagesa bëhet sipas kilometrave të përshkuara. Për këtë qëllim, tashmë po përgatitet një studim për futjen e këtij sistemi në Korridorin 8.

Ndërkaq, gjatë vitit të kaluar, deri më 23 dhjetor, nga pagesat e autostradave ishte realizuar qarkullim prej 4.158.914.362 denarësh, ose 67.624.624 euro.