Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari dhe drejtoresha e Institutit Universitar të Radiologjisë Sonja Nikollova promovuan ambientet e rinovuara të Radiologjisë, e cila është pjesë e Klinikave Kirurgjikale. Taravari theksoi se deri vitin e ri do të promovojnë edhe investime tjera në spitale.
“Bëhet fjalë për investim rreth 6 milionë denarë, tashmë kjo qendër duket në mënyrë dinjitoze dhe besoj se në periudhën e ardhshme në qendrën klinike do të kemi investime të tilla, të cilat do t’i promovojmë deri në vitin e ri, por edhe në spitale tjera”, tha Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë.
Ideja e renovimit të ambienteve të radiologjisë drejtoresha Nikollova thotë se është për të mirën e pacientëve dhe punonjësve shëndetësorë, me qëllim që të rritet shërbimi i tyre, të cilët kalojnë 18-24 orë kujdestari. Ajo theksoi se kanë mungesë të stafit.
“Na u desh të bënim një riorganizim të brendshëm me stafin ekzistues, kemi problem me personelin, daljet në shëndetësi private, një pjesë e madhe e stafit doli në pension, ndaj me stafin ekzistues jo të mjaftueshëm, duhej të bënim një riorganizim të brendshëm për të ulur pritjen e kohës së rezultateve. Po punohen ndërrimet e dyta, punohet për vikend, është vullneti i mirë i njerëzve që janë pas meje dhe duhet t’i falënderoj. Ne kemi pastruar mjaftë me gjerat e parealizuara, kemi ende punë për të bërë që të qëndrojmë në këmbë të shëndosha dhe të organizohemi ndryshe”, tha Sonja Nikollova, drejtoresha e Institutit Universitar të Radiologjisë.
Megjithatë Nikollovska nuk tregoi me saktësi se sa është koha e pritjes për rezultate tani, por thotë se koha është përgjysmuar nga më parë dhe se kujdesen që pacientët të mos marrin rezultate të pasakta, por cilësore.
