Nga janari masa të reja për shfrytëzuesit e rrymës! Bekteshi i kënaqur nga kursimi i energjisë elektrike në institucione

TË FUNDIT

Po përgatitet pako e re masash për ndihmë të amvisërive dhe kompanive, që do të zbatohet nga janari i vitit të ardhshëm njoftoi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Ai bëri thirrje që në mënyrë racionale të shfrytëzohet energjia elektrike, duke shtuar se sipas vendimit të Qeverisë për furnizim me rrymë me çmim preferencial, nga 1 dhjetori do të kenë mundësi të aplikojnë edhe një pjesë të kompanive.

“Tashmë i kemi përgatitur të gjitha masat që do të fillojmë t’i zbatojmë nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Kryesisht masat janë të orientuara për t’u dhënë mbështetje shtesë qytetarëve dhe veçanërisht kompanive, përfshirë edhe ato që janë në tregun e rregulluar. Po bëhen përllogaritjet që nga 1 janari të mos ketë rritje të dukshme të çmimit të energjisë elektrike, sidomos për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël”, tha Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Sa i takon kursimit të energjisë elektrike nga ana e institucioneve dhe komunave, Bekteshi thotë se është i kënaqur nga mënyra se si po ec procesi i kursimit. Megjithatë, ai veçoi disa komuna që nuk e kanë reduktuar konsumimin e rrymës për 15% sipas asaj që ishte rekomanduar. Siç theksoi, ka edhe komuna që kanë rritur konsumin siç janë:  Studeniçani për 11%, Llozova për 12%, si dhe Haraçina ku harxhimi i rrymës është rritur për madje 474%.

“Gjithsej 16 komuna nuk kanë arritur të realizojnë kursim prej 15%, nga të cilat vetëm 3 kanë konsumim më të lartë në tetor të vitit 2022 në krahasim me tetor 2021. Nëse merren parasysh të dhënat duke i përfshirë të gjitha ndërmarrjet shtetërore, agjencitë dhe drejtoritë, atëherë kursimi i përgjithshëm i energjisë elektrike arrin deri në 24%. Kursimin më të ulët të energjisë elektrike e ka realizuar Ministria e Arsimit prej 24%, kurse Ministria e Mjedisit Jetësor ka shënuar kursim më të madh 94%”, pohoi Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Qeveria ka realizuar kursim të rrymës prej 36%, Kabineti i Presidentit 23%, kurse Kuvendi 22%.