Tradita e të shtënave me armë zjarri nëpër ahengje familjare assesi të zhduket!
Në rrjetet sociale të përditshme janë denoncimet e qytetarëve se si gjejnë plumba nëpër oborre e çati!
Në rastet më të këqija festa kthehet në tragjedi.
Ndonëse përdorimi i armëve është i ndaluar rreptësishtë, aq më pak në ambiente të mbushur me njerëz, vetëm në 7 muajt e fundit, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, janë regjistruar dhjetëra raste, prej të cilëve shumica në korrik. Zëdhënësi Goce Andreev tregon rastin e fundit të arrestimit për një vepër të tillë.
“Dje në fshatin Rashçe të Shkupit, nëpunësit policorë nga stacioni policorë i Gjorçe Petrovit, i kanë privuar nga liria E.K. dhe B.K. nga fshati Rashçe rreth orës 22:00. Në Sektorin për punë të brendshme në Shkup është denoncuar se është dëgjuar të shtëna në fshat, pas çka menjëherë janë ndërmarrë masat përkatëse dhe aktivitete dhe është vërtetuar se E.K. dhe B.K. me psitoleta gazi kanë shtënë në dasëm. Ata janë arrestuar dhe pas dokumentimit të rastit do të ndërmerren masat përkatëse ligjore”, tha Goce Andreev, zëdhënës I MPB-së.
Një nga rajonet më problematike për këtë fenomen, sipas policisë, është Pollogu. Nga SPB-Tetovë Këtë vit janë regjistruar vetëm dëme materiale, ndërsa viteve të kaluara ka pasur edhe lëndime të personave nga plumbat qorr.
“Gjatë vitit 2025 në SPB-Tetovë janë regjistruar 9 vepra penale, prej të cilave 6 në rajonin e Tetovës dhe 3 në rajonin e Gostivarit. Janë regjistruar dëmtime nga plumba ‘qorr’ nga të cilat janë dëmtuar 5 automjete, 2 tarraca dhe 2 plumba të devijuar kanë mbaruar në oborre shtëpie, gjithashtu janë regjistruar edhe tre prishje të rendit dhe qetësisë publike, respektivisht Tetovë 2 dhe Gostivar 1, me përdorim të paautorizuar të mjeteve piroteknike apo armëve të zjarrit gjatë ahengjeve familjare”, thonë nga SPB-Tetovë.
Nga MPB rikujtojnë se të shtënat me armë janë në kundërshtim me Ligjin për kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike dhe gjoba varion nga 100-250€. Sipas policisë, varësisht nga pasojat, të shtënat me armë mund të përbëjnë vepër penale si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” për të cilin është paraparë dënim me burg prej një deri në pesë vjet.
