Këngëtarja shqiptare me famë botërore Dua Lipa dhe aktori britanik Callum Turner kanë nisur festimet e dasmës së tyre në Siçili, duke mbledhur në Palermo një numër të madh emrash të njohur nga bota e muzikës, filmit dhe modës.
Edhe pse çifti e ka kurorëzuar martesën javën e kaluar në një ceremoni intime në Londër, festimet kryesore po zhvillohen këtë fundjavë në Palermo, ku të ftuarit u pritën me një darkë mirëseardhjeje. Dua Lipa tërhoqi vëmendjen me një fustan elegant të bardhë.
Mes të ftuarve VIP janë këngëtarja Charli XCX dhe bashkëshorti i saj, George Daniel, baterist i grupit The 1975. Charli XCX dhe Dua Lipa njihen për miqësinë dhe bashkëpunimet e tyre artistike, përfshirë remiksin e këngës “Talk Talk”.

Në festë është parë edhe këngëtari australian Troye Sivan, mik dhe bashkëpunëtor i hershëm i Dua Lipës. Të dy kanë bashkëpunuar në disa projekte muzikore ndër vite.

Pjesë e listës së të ftuarve është edhe aktori britanik Joe Alwyn, i cili ka krijuar miqësi me Callum Turner gjatë xhirimeve të filmit The Last Letter From Your Lover.

Në Palermo ka mbërritur edhe stilistja legjendare italiane Donatella Versace, me të cilën Dua Lipa ka një marrëdhënie të ngushtë profesionale. Në vitin 2023, ato prezantuan së bashku koleksionin e modës La Vacanza.

Ndër të ftuarit janë gjithashtu producenti i njohur muzikor Mark Ronson dhe bashkëshortja e tij, aktorja Grace Gummer. Ronson dhe Dua Lipa kanë bashkëpunuar në këngën Dance the Night, e cila u nominua në disa çmime prestigjioze ndërkombëtare.

Festimet në Siçili pritet të zgjasin gjatë gjithë fundjavës, ndërsa dasma e Dua Lipës dhe Callum Turner po konsiderohet një nga ngjarjet më të komentuara të vitit në botën e showbiz-it.
