Nga 11 prilli grevë në arsim? Nedellkov: Pakënaqësia shkaku i pagave të ulëta, Shaqiri: Kërkojmë zgjidhje

TË FUNDIT

Në qoftë se me Qeverinë nuk arrihet marrëveshje dhe nuk plotësohen kërkesat tona për paga më të larta, ne mbesim në qëndrim se nga 11 prilli sektori i arsimit do të organizojë grevë të përgjithshme, theksoi kryetari i Sindikatës për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Jakim Nedellkov në debatin “Click Plus” të TV21. Siç thotë ai, njëra nga arsyet për pakënaqësinë e madhe është se rrogat në arsim janë rritur vetëm për 20%, kurse paga minimale ka shënuar rritje prej 78%. 

“Është e palejueshme që vetëm për një kategori të caktuar të të punësuarve të ketë rritje rrogash, e për të tjerët jo. Kemi rritje të pagës minimale për 78%. Këto 78% fare nuk i ndjekin rrogat e tjera. Ja më saktësisht për arsim, kemi në mënyrë kumulative rreth 21,3% rritje të rrogës”, tha Jakim Nedellkov, Sindikatë për Arsim Shkencë dhe Kulturë.

Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, theksoi se Qeveria po merret seriozisht me kërkesat e SAShK-ut dhe se kërkojë mënyrë që ta zgjidhë problemin. Ai shton se nga e hëna sërish do të ulen në tryezën e bisedimeve me sindikatën.

“Që nga parashtrimi i kërkesës së parë të SAShK-ut më 3 mars, që nuk është shumë larg, nuk kaloi as një muaj, ne si Qeveria realizuam tri takime, duke filluar nga Këshilli Ekonomik-Social, ku ishin të pranishme të gjitha sindikatat. Pas kësaj kishim takim të përbashkët me kryetarin e Qeverisë, vazhdimisht po mbajmë takime. Siç thashë, nga e hëna do të mbajmë takime gjatë gjithë javës. Kjo nënkupton se ne po merremi seriozisht me kërkesat e SAShK-ut ose kërkesat që vijnë nga sindikatat e tjera“, tha Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit.


Njeriu i parë i SAShK-ut, Nedellkov, sqaron se në rast se nuk arrihet një marrëveshje dhe ata fillojnë me grevë, kjo do të thotë se mësimi nuk do të mbahet, kurse për fëmijët në çerdhe nuk do të organizohen aktivitete edukativo-kujdestare. Ministri vlerëson se kjo nuk do të ishte e volitshme, sepse, siç thekson kjo periudhë është shumë e rëndësishme për tërë procesin arsimor.