Nëse koalicioni VLEN merr ftesë për qeveri nga VMRO DPMNE, duhet të ketë kujdes me pozitën e shqiptarëve, thotë analisti Ibrahim Mehmeti teksa shtoi se gjegjësisht duhet ta shohë nëse e njëjta do të dobësohet apo do të forcohet.
“Nuk është tek e fundit tragjike edhe nëse hyn VLEN-i në Qeveri, nëse ka një politikë të ngjashme, ose nëse ka një politikë që për ne si qytetarë mund të jetë e dobishme, por nëse del VLEN-i me VMRO-në dhe thotë se i bëjmë këta punë të mira për shqiptarët, ne themi ok, mirë. Për mua nuk është problemi se kush prej shqiptarëve do të qeverisë, në kuptimin e partive, por është problemi i pozitës së shqiptarëve, a do të dobësohet apo do të forcohet”, tha Mehmet.
Analisti Xhelal Neziri në emision DailyClick tha se Hristijan Mickoski shumë shpejtë do të krijojë Qeveri stabile. Sipas tij, 58 mandatet e fituara i kanë siguruar VMRO DPMNE-së komoditet, ndërsa si partner shqiptar të koalicionit qeverisës Neziri thotë se e sheh VLEN-in.
“Edhe BDI-ja, mendoj Fronti Europian e ka pasur të qartë se nëse VLEN merr mbi 10 deputetë, ndërkohë që VMRO-DPMNE merr mbi 50 deputetë, dhe të dyja bashkë arrijnë të formojnë një shumicë madje minimale, atëherë çështja e Qeverisë është çështje e kryer, kur VMRO-DPMNE ka marrë 58 deputetë, që i jep një pozitë për të krijuar Qeveri me cilën parti që të dojë, jo vetëm me VLEN, vetëm ZNAM, ose vetëm me Levicën, është pozicion shumë komod i Mickoskit”, tha Neziri.
Sipas Nezirit Qeveria do të formohet pa ndryshimet kushtetuese, ai është i mendimit se ato do të bëhen pakë më vonë.
