New York Times: Vuçiqi të shtunën do të takohet me Trampin

TË FUNDIT

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq të shtunën do të takohet me presidentin amerikan Donald Tramp, publikoi “Njujork tajms”.

Gazeta thekson se Vuçiqi do të takohet me Trampin gjatë vizitës së tij në Shtëpinë e Bardhë, e cila është planifikuar me rastin e nismës amerikane për arritjen e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë.

Sipas “Njujork tajms”-it, presidenti i Serbisë në këtë rast do të takohet edhe me përfaqësuesin amerikan për Kosovë, Riçard Grenel. Paraprakisht këtë javë, gazeta duke iu referuar përfaqësuesve zyrtarë amerikanë, ka shkruar se Aleksandar Vuçiqi dhe Hashim Thaçi në mënyrë sekrete kanë rënë dakord pas shpinës së BE-së, ndërsa me ndërmjetësim të Grenelit.

Duke iu referuar katër ish përfaqësuesve zyrtarë amerikanë, të cilët kanë cituar persona të përfshirë në negociatat, “Njujork tajms” shkruan se Thaçi dhe Vuçiqi kanë arritur një marrëveshje të fshehtë për kushtet e marrëveshjes së ardhshme, duke e përfshirë edhe idenë për ndryshimin e kufijve të Kosovës.

Siç lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Beogradi, Vuçiqi pas takimit të mbrëmshëm në Beograd me ndërmjetësuesin e BE-së Mirosllav Lajçak, ka mbërritur  në mëngjesin e sotëm për vizitë dyditore në Moskë, ku gjatë ditës do të takohet me presidentin e Rusisë, Vladimir Putinin. Ai nesër do të marrë pjesë në paradën ushtarake, me rastin e shënimit të 75 vjetorit të fitores mbi fashizmin në Luftën e Dytë Botërore./MIA