Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po “krijon kushtet” që mund të çojnë drejt një “marrëveshjeje të mirë” me Iranin, ka deklaruar kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, duke theksuar megjithatë se Izraeli vazhdon të mbajë rezerva.
Pas takimit me Trump në Shtëpinë e Bardhë, Netanyahu u shpreh se ka shprehur “skepticizmin” e tij lidhur me çdo marrëveshje të mundshme, duke nënvizuar se ajo duhet të përfshijë elementë thelbësorë për sigurinë e Izraelit. Sipas tij, ndër pikat kyçe janë ndalimi i programit bërthamor të Teheranit, kufizimet mbi raketat balistike dhe ndërprerja e mbështetjes për grupet e armatosura si Hezbollahu në Liban, Hamasi në Gaza dhe Huthit në Jemen.
“Kushtet që po krijon Trump, të kombinuara me faktin se iranianët e kuptojnë se bënë gabim herën e kaluar kur nuk arritën marrëveshje, mund të hapin rrugën për një marrëveshje të mirë”, ka deklaruar Netanyahu para largimit nga Uashingtoni.
Takimi mes dy liderëve u zhvillua me dyer të mbyllura dhe zgjati rreth dy orë e gjysmë. Presidenti amerikan e cilësoi bisedën si “shumë të mirë”, por theksoi se nuk janë marrë vendime të mëdha.
Netanyahu e përshkroi raportin me Trump si “të ngushtë, të sinqertë dhe të hapur”, duke bërë të ditur se në fokus të diskutimeve ishin negociatat me Iranin. Sipas tij, presidenti amerikan ka dashur të dëgjojë drejtpërdrejt qëndrimin e Izraelit për zhvillimet e fundit.
“Presidenti beson se iranianët tashmë e dinë se me kë kanë të bëjnë”, ka shtuar Netanyahu.
