Netanyahu paralajmëron mbajtjen e zgjedhjeve këtë vit

TË FUNDIT

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë të dielën gjatë mbledhjes javore të kabinetit në Jerusalem se beson që “zgjedhjet do të mbahen deri në fund të vitit”.

Ai gjithashtu ka përsëritur se Gaza do të “çmilitarizohet dhe Hamasi do të çarmatoset”.

“Ose do të ndodhë në mënyrën e lehtë ose do të ndodhë në mënyrën e vështirë”, ka thënë Netanyahu lidhur me këtë, raporton AP.

Ai po ashtu ka përsëritur kundërshtimin e tij ndaj shtetit palestinez në një territor në perëndim të lumit Jordan.

Ndërkohë, duke komentuar dhunën e rritur së fundmi të kolonëve në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, ai ka thënë se ata që janë përfshirë nuk përfaqësojnë komunitetin e kolonëve.

“Ne do të veprojmë kundër kësaj me të gjitha forcat tona sepse jemi një shtet ligjor dhe një shtet ligjor vepron sipas ligjit”, u ka thënë ai ministrave.

Javën e kaluar, kolonët izraelitë dogjën dhe dëmtuan një xhami në një fshat palestinez në Bregun Perëndimor qendror, dy ditë pasi dhjetëra kolonë izraelitë të maskuar u vunë flakën automjeteve dhe pronave të tjera në fshatrat palestineze Beit Lid dhe Deir Sharaf.