Netanyahu: Jemi aleat i SHBA-ve, por veprojmë në mënyrë të pavarur

TË FUNDIT

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka theksuar se Izraeli nuk është një “paradhomë” e Shteteve të Bashkuara.

Gjatë takimit në Jeruzalem me zv/presidentin amerikan J.D. Vance, Netanyahu u shpreh se kur bëhet fjalë për sigurinë e Izraelit, vendi vepron në mënyrë të pavarur dhe në interes të vet.

Ai theksoi se SHBA-ja ka interes për një Izrael të fortë, ashtu si Izraeli ka interes për një Amerikë të fuqishme.

Ndërkohë, në një zhvillim paralel, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë shprehur shqetësimin e tyre të thellë, lidhur me planet e mundshme të Izraelit për aneksimin e territoreve palestineze.

Anuar Gargash, këshilltar diplomatik i presidentit Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, theksoi se një veprim i tillë do të ishte një “vijë e kuqe” dhe do të kërcënonte procesin e normalizimit mes dy vendeve.

Ai nënvizoi rëndësinë e pasjes të një Izraeli të sigurt dhe një shteti palestinez të qëndrueshëm, duke shtuar se normalizimi i marrëdhënieve u ka dhënë Emirateve një ‘levë ‘, për të ndikuar në çështjen e aneksimit.

Po ashtu, Gargash ka treguar se po zhvillohen diskutime për dërgimin e agjentëve dhe personelit diplomatik në terren në Gaza, për të monitoruar situatën.

Në këtë situatë të tensionuar, mediat raportojnë se Hamasi u ka premtuar ndërmjetësuesve ndërkombëtarë se do të ndalojë ekzekutimet publike të anëtarëve të bandave rivale në Gaza.

Kjo lëvizje konsiderohet si një përpjekje për të shmangur një shkallëzim të ri të konfliktit me Izraelin, i cili mund të përdorte këtë si justifikim për rifillimin e sulmeve ushtarake.

Lideri i Hamasit, Khalil al-Hayya, deklaroi se janë të përkushtuar të mbajnë në fuqi marrëveshjen e paqes dhe se dëshirojnë që ajo të zgjasë, duke shmangur përshkallëzimet.

Këto zhvillime tregojnë se rajoni mbetet i tensionuar dhe i ndërlikuar, ku balanca mes sigurisë së Izraelit, aspiratave palestineze dhe rolit të fuqive të huaja vazhdon të jetë shumë i brishtë.