Netanjahu: Në horizont një epokë e re për Izraelin dhe Kosovën

TË FUNDIT

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu sonte me rastin e Vitit të Ri hebraik, i është drejtuar popullit të Kosovës përmes një letre që e dërgoi për manifestimin e organizuar në Prishtinë.

Netanjahu tha se veprimet politike që ndodhën së fundi mes Kosovës dhe Izraelit janë fillim i një epoke të re.

“Në këtë Vit të Ri, e zgjas dorën time të miqësisë për popullin e Kosovës. Zhvillimet e fundit mes Izraelit dhe Kosovës mund të jetë një fillim i një epoke të re nga e cila do të përfitojnë popujt e dy vendeve. Jam optimist se mund të arrijmë aq shumë duke punuar së bashku dhe është shpresa ime e sinqertë se do ta shohim këtë të realizohet”, thuhet në letrën e tij.

Netanjahu po ashtu u falënderua edhe për  angazhimin e hebrenjve të Kosovës. “E vlerësoj thellësisht angazhimin e vazhdueshëm të komunitetit hebraik në Kosovë për të na bërë më afër”, shtoi ai.

Në festimin e Vitit të Ri hebraik në hotel “Emerald” në Prishtinë morën pjesë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryeministri Avdullah Hoti, kryetarja e Parlamentit Vjosa Osmani, si dhe ish-kryeministri dhe udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.