NESËR MANDATI I GRUEVSKIT PARA KOMISIONIT, VMRO-DPMNE AKOMA PA QËNDRIM

TË FUNDIT

Për nesër është thirrë seanca e Komisionit për çështje të mandatit dhe imunitetit për marrjen e mandatit të deputetit në arrati Nikollla Gruevskit. Por grupi parlamentar i VMRO DPMNE-së ende nuk ka qëndrim se si do të votojë në komision. Për imunitetin e Gruevskit në vazhdimësi janë shprehur kundër.

“Do të duhet të prisni të meret vendim përfundimtar partiak për atë se si do të sillet grupi parlamentar I VMRO-DPMNE-së nesër në komisionin për mandate dhe imunitet. Deri atëherë mund vetëm të them se janë të njohura arsyet e mungesës së Nikolla Gruevskit në Kuvend”,u shpreh Naum Stoilkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Kurse zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov, i bëri thirrje  opozitës që ta ndjekë shembullin e Pavle Bogoevskit, dhe deputetet të votojnë sipas bindjes së tyre. Seancën e nesërme do ta udhëheqë zëvendëskryetarja, Snezhana Kaleska Vançeva. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, shpjegoi se kur pritet të përfundojë e gjithë procedura.

“Rregullorja është e qartë, në afat prej 15 ditëve që informata I drejtohet komisionit përkatës, komisioni duhet të del me propozim vendim për marje ose për mosekzistim të kushteve për marje të mandatit. Kështu që afati është 15 ditë nga dita që e kanë pranuar letrën, mesa më kujtohet 15 eventualisht 16 maj është dita që e ka pranuar komisioni dhe prej atij momenti fillojnë 15 ditëshi I punës së komisionit përkatës. Tani a është nesër apo pasnesër dita e fundit, nuk është çështje me të cilën unë duhet të ngarkohem, por komisioni përkatës”, deklaroi Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

Seanca për marrjen e mandatit të Gruevskit, filloi javën e kaluar, por nuk përfundoi për shkak të dorëheqjes së deputetit Pavle Bogoevski, i cili është edhe kryetar i komisionit.  Nëse kërkesa për mandatin merr dritë jeshile në komision, atëherë më pas kalon në seancë plenare, ku duhet të votojnë 80 deputetë.

Përgatiti: Zimer Jashari