SASHK dhe ministritë pa marrëveshje për pranimin e fëmijëve në shkollë dhe në çerdhe gjatë grevës, ndërsa prindërit nuk dinë se çfarë të bëjnë me fëmijët e tyre derisa ata janë në punë. Kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedellkov tha se prej nesër fillojnë me grevë të përgjithshme ndërsa mësimdhënësit dhe kujdestaret e çerdheve do të jenë në një hapësirë të caktuar dhe nuk do të mbajnë mësim e as nuk do t’i pranojnë fëmijët në çerdhe. Ai tha se tashmë po përballen me presione, megjithatë theksoi se greva do të zgjasë derisa arrihet zgjidhje me Qeverinë për kërkesat e tyre që kanë të bëjnë me rritjen e rrogave.
“Deri më sot nuk kishim rezultate pozitive në lidhje me kërkesat tona. Greva do të realizohet duke mos i kryer detyrat në vendin e punës përkatësisht grevistët do të akomodohen në hapësira ku bashkërisht do të merren vesh me drejtorët e institucioneve dhe nuk do t’i realizojnë veprimet e tyre në procesin edukativo- arsimor dhe nuk do t’i pranojnë fëmijët në çerdhe. SASHK-u do të jetë në grevë ndërsa përgjegjësinë për sigurim të kushteve minimale për funksionim të institucionit e ka drejtori”, tha Jakim Nedellkov, Kryetar i SAShK-ut.
Kryeministri Kovaçevski i thirri mësimdhënësit ta mos e ndërpresin procesin arsimor dhe se zgjidhje duhet të kërkohet përmes dialogut social.
“U bëj thirrje mësimdhënësve të shkollave fillore dhe të mesme që t’i vendosin në vend të parë interesat e fëmijëve dhe të kujdesen që të mos prishet procesi arsimor. Nxënësit duhet të jenë në shkolla, atje ku përkasin. E drejta për grevë është e garantuar dhe unë e respektoj në tërësi. Megjithatë, dialogu social është rruga e vetme për të arritur zgjidhje të përbashkëta”, tha Kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Edhe nga Ministria e arsimit njoftuan se shkollat fillore dhe të mesme do të punojnë për shkak se procesi i arsimit duhet të organizohet edhe gjatë grevës.
“Ministria e arsimit dhe shkencës e njofton opinionin publik se edhe të hënën, kur është paralajmëruar greva nga ana e Udhëheqësisë së Sindikatës për arsim, shkencë dhe kulturë, SASHK, shkollat fillore dhe të mesme do të vazhdojnë me punë, përkatësisht do të pranojnë nxënës dhe do të organizojnë proces edukativo-arsimor”, thonë nga Ministria e Arsimit.
Edhe nga Ministria për punë dhe politikë sociale thonë se edhe krahas grevës ata do t’i pranojnë fëmijët në çerdhet.
“Ministria për punë dhe politikë sociale e njofton opinionin publik dhe prindërit se të gjitha institucionet parashkollore do të vazhdojnë ta kryejnë veprimtarinë e tyre me pranim dhe edukim të fëmijëve edhe në ditët e grevës së paralajmëruar”, thonë nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale.
SASHK-u, vendimin për grevë të përgjithshme e solli pasi dështuan negociatat me qeverinë për harmonizimin e rrogave me rrogën minimale në nivel nacional. Sindikata kërkon që rroga minimale në të ardhmen të jetë baza me të cilën do të shumëzohen koeficientet e kompleksitetit në arsim.
