Nesër mbrëma pas orës 20:00, pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, zyrtarisht do të shpallet ristrukturimi i Qeverisë. Edhe pse jozyrtarisht qarkullojnë emrat dhe resorët që do të përfshihen me ndryshimin e kabinetit qeveritar, kryeministri Mickoski refuzoi të njoftojë se cilët do të jenë ata. Tha vetëm se ka marrëveshje parimore me partnerët koalicionarë në Qeveri.
“Ne nuk kemi biseduar për zgjidhje personale, për emra, në parim kemi marrëveshje rreth resorëve. Unë në të kaluarën kam thënë, derisa të përfundojë mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të partisë nuk do të komentoj as resorë as emra, pritni deri nesër rreth orës 20:00 kur publiku do të njoftohet më në detaje”, tha Mickoski.
Me ristrukturimin, siç dihet, do të përfshihet edhe ministri për Politikë Sociale, Demografinë dhe të Rinjtë, Fatmir Limani. As ai nuk dëshiroi të zbulojë detaje për atë që do të ndodhë me të, pasi tashmë është e sigurt largimi i tij nga Ministria.
“Pozita e Fatmir Limanit nuk është e rëndësishme. Shumë më e rëndësishme është nëse do të krijojmë hapësirë për të rinjtë këtu. Sidoqoftë, unë i shoh gjërat në afat të gjatë. Kur u largova nga BDI-ja, disa mendonin se do të vdisja, por unë u rilinda. Edhe sot, kur jemi këtu, disa mendojnë se Fatmir Limani me largimin e tij do të vdesë, por ne rilindemi përsëri e përsëri, për të krijuar kushte për të rinjtë”, tha Limani.
Për pozitën e ardhshme të VLEN-it në Qeveri foli dje zëvendëskryeministri Bekim Sali, i cili tha se në të ardhmen ata do të kenë 6 ministri. Nga këto, do të drejtojnë 3 ministri të reja: Drejtësinë, Kulturën dhe Ministrinë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive – ndërsa heqin dorë nga Shëndetësia dhe Politika Sociale. Nga BDI-ja opozitare kritikojnë se kuadrot e VLEN-it në Qeveri nuk kanë treguar asgjë në dobi të shqiptarëve dhe prandaj, sipas tyre, nuk është e rëndësishme kush do të largohet e kush do të vijë me këtë ristrukturim.
“Cilado qoftë shpërndarja, cilëdo qofshin ata ministra që do të emërohen ose shkarkohen, ata janë në funksion të ekzekutuesve ose avokatëve të kësaj platforme programore. Dhe meqë nuk kanë vullnetin e shqiptarëve, çdo shpërndarje dhe emërim do të jetë vullneti i kryeministrit dhe i partisë politike maqedonase në Qeveri dhe kjo nuk do të pasqyrojë vullnetin e shqiptarëve”, th Osmani.
Sipas informacioneve deri tani, përveç Limanit, nga Qeveria largohen ministri i Shëndetësisë Azir Aliu, Cvetan Tripunovski nga Bujqësia, Igor Filkov nga Drejtësia, Zoran Ljutkov nga Kultura, Vesna Janevska nga Arsimi, si dhe Ivan Stoiljkovik nga Ministria për Marrëdhënie me Komunitetet, të cilën e merr një kuadër i VLEN-it. Stoiljkoviq vetë shkroi se po largohet, ndërsa theksoi se ministrinë e lë në gjendje të mirë ku janë eliminuar të gjitha shpenzimet e panevojshme.
