Nesër fillon fushata zgjedhore. Në orën 13, pranë pushimores në fshatin Kranjë të Prespës, Bashkimi Demokratik për Integrim kampanjën e nis me konventë promovuese të kandidatëve për deputetë.
Burime partiake thonë për TV21 se nesër në Prespë, kreu i integristëve Ali Ahmeti do ta shpalosë emrin e kandidatit për kryeministër shqiptar. Me këtë rast fjalim do të mbajë si kreu Ahmeti po ashtu edhe kandidati për kryeministër, thotë burimi.
Që kur BDI e ka hedhur idenë për kryeministër shqiptar, janë përfolur emra, por kandidati për mandatar nuk dihet ende. E vetmja gjë që e pohojnë nga kjo parti është se kandidati nuk do të jetë figurë partiake.
Ditë më parë kishte zëra se kandidat është Lazim Destani, biznesmeni nga Tetova, por ai vetë i hodhi poshtë spekulimet duke u shprehur se nuk është i interesuar për t’iu futur jetës politike.
Emër tjetër i përfolur në opinion ishte ai i Abdylmenaf Bexhetit, por profesori universitar në emisionin “10minuta” në TV21 deklaroi se “kjo është e pamundur në agjendën e tij” për shkak se ka edhe dy vite mandat si rektor i UEJL-së, megjithatë përgjigje të prerë nuk pati dhënë, duke thënë: “nuk do të doja t’ju referoja një përgjigjeje me po, ose jo. Nuk është çështja me po ose jo”./TV21
