Nëse rryma e subvencionuar nuk jep rezultat, do të shqyrtohet ngrirja e çmimeve për ushqimet bazë në Maqedoni

TË FUNDIT

Kompanitë nga sektori i ushqimit, shkollat dhe ndërmarrjet publike që janë paraqitur në thirrjen e Qeverisë, duke filluar prej 1 dhjetorit do të kenë rrymë të subvencionuar. Edhe pse fillimisht kompanitë kërkonin çmim më të ulët të energjisë elektrike, megjithatë numri i aplikuesve nuk është kaq i madh, gjegjësisht janë paraqitur vetëm 235 kompani.

Prodhuesit e produkteve bazë ushqimore do të furnizohen me rrymë me çmim prej 80 eurove për një megavat orë, por do të jenë të detyruar t’i ulin çmimet e produkteve të tyre. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se edhe subjektet që nuk janë paraqitur në këtë thirrje, nuk do të kenë për detyrë t’i ulin çmimet. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi paralajmëron edhe inspektime.

“Nga 1 janari nëse nuk ka ulje të çmimeve sipas inputit të energjisë elektrike, dihet se çfarë vendime do të sjellë qeveria. Nëse ka ligj për tregti, mund të sjellim masa në kohë krize me propozim të Ministrisë së ekonomisë, për ngrirjen e  çmimit, të përcaktohen marzha etj, andaj thashë se ne i kemi listat, Inspektorati shtetëror i tregut i bën kontrollet e rregullta, tashmë ka trend për uljen e çmimeve të produkteve të caktuara”, tha Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Prej gjithsej 474, për rrymë të subvencionuar, janë paraqitur 233 shkolla fillore dhe të mesme dhe 50 ndërmarrje publike. Për shkollat dhe për pjesë të ndërmarrjeve çmimi i energjisë elektrike do të jetë 95 euro për megavat orë. Në thirrje janë paraqitur edhe kryetarë komunash që kanë kërkuar subvencionimin e energjisë elektrike të objekteve të komunës. Kryeministri Dimitar Kovaçevski i revoltuar nga komunat, apeloi që të mos abuzohet masat.

“Këto masa nuk janë për rehatinë e administratës shtetërore apo të administratës së komunës. Këto masa nuk janë që dikush të rrijë në zyrë, të pijë kafe, të mbajë takime dhe të lexojë gazeta. Këto masa janë për qytetarët. Këto masa nuk janë që dikush ta gëzojë rehatinë e dikush tjetër mezi të mbijetojë”, pohoi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Masat e Qeverisë, siç u tha, kanë për qëllim që të pengohet rritja e çmimeve të produkteve bazë, të ketë qëndrueshmëri në furnizimin me ujë dhe të sigurohet energji elektrike për shkollat.