Emigrantët që punojnë ilegalisht në Britani, rrezikojnë deri në 6 muaj burg. Ky është propozimi më i ri që pritet të përfshihet në projekt-ligjin për emigracionin në Britani.
Në këtë projekt-ligj gjithashtu parashikohen masa më të ashpra ndaj restoranteve dhe bizneseve të tjera, të cilat punësojnë emigrantë ilegalë. Ata mund të rrezikojnë nga gjoba deri në heqjen e licencës.
Aksioni do të nisë këtë vjeshtë, ku në shënjestër do të jenë të gjitha kompanitë mashtruese që punësojnë emigrantë të paligjshëm.
Ministri i Emigracionit, James Brokenshire, ka thënë se qeveria do të vazhdojë të godasë të gjithë ata që abuzojnë me sistemin.
“Nëse keni hyrë në Britani ilegalisht, atëherë ne do t’ju ndalojmë që të punoni, të merrni me qira një shtëpi, të hapni një llogari bankare ose të drejtoni makinën. Punëdhënësit që mundësojnë punë për emigrantët e paligjshëm, janë duke mohuar punën për qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar dhe emigrantët ligjore, si dhe duke ulur pagat. Përvoja na tregon se punëdhënësit të cilët janë të gatshëm të devijojnë rregullat e punësimit, janë gjithashtu të gatshëm të shkelin rregullat e shëndetit dhe të sigurisë, si dhe të mospaguajnë tatimet. Kjo është arsyeja pse ne do të përdorim forcën e qeverisë për t’i goditur”, shprehet Brokenshire për “The Times”.
