Kërcënimet e Iranit se pas sulmeve nga SHBA do ta mbyllë ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalojnë përditë 30 për qind e naftës bruto të botës që tregtohet përmes detit dhe 20 për qind e gazit të lëngshëm – prej të cilit 80 për qind është i destinuar për Azinë dhe 20 për Europën – mund të ndikojnë në inflacion dhe të përkeqësojnë ekonominë në Maqedoni. Sipas ekonomistëve, nëse kriza rreth ngushticës zgjat pak, efektet do të jenë më të vogla.
“E gjithë kjo mund të shkaktojë rritje të madhe të rrezikut apo vendosje të rreziqeve për sa i përket shkallës globale të inflacionit. Kjo do të thotë ngritje të çmimeve në tregjet globale të naftës në një nivel më të lartë. Të shpresojmë që kjo të mos zgjasë shumë dhe të mos përshkallëzohet situata, por askush nuk mund ta parashikojë këtë me siguri”, vlerëson Sinisha Naumoski, profesor universitar.
Për profesorin e shkencave politike, Ognen Vangelov, mbyllja e ngushticës do ta transformonte krizën nga një konflikt rajonal në një çështje globale të sigurisë dhe ekonomisë. Kjo do të nënkuptonte se SHBA dhe aleatët do të reagonin jo vetëm për shkak të pozicionit të tyre në rajon, por edhe për shkak të detyrimit për të garantuar lundrimin e lirë në një prej arterieve ekonomike më të rëndësishme në botë. Një ndërhyrje e tillë do të sillte rrezik për përhapje të mëtejshme dhe përshkallëzim të konfliktit, veçanërisht nëse ndodhin përplasje direkte mes ushtrisë amerikane dhe aleatëve të Iranit në rajon.
“Nga një këndvështrim gjeopolitik, një veprim i tillë do të thellonte ndarjet mes fuqive të mëdha, ndërkohë që Perëndimi me gjasë do ta dënonte mbylljen e ngushticës si një akt të shantazhit ekonomik dhe destabilizimit. Një pjesë e botës jo-perëndimore, veçanërisht Rusia, Kina, vendet e tjera të BRICS-it dhe në përgjithësi vendet e jugut global, do të ishin shumë më të kujdesshme në reagimet e tyre, ndoshta edhe hapur kritike ndaj agresionit perëndimor që e ka shkaktuar vetë konfliktin”, vlerëson Ognen Vangelov, profesor universitar.
Kjo do ta vështirësonte zgjidhjen diplomatike të konfliktit.
Profesori Naumoski ndërkaq thekson se rreziku kyç nga kjo krizë është se sa do të ndikojë ajo në rritjen ekonomike globale. Maqedonia duhet të jetë jashtëzakonisht e kujdesshme dhe të ndjekë nga afër zhvillimet tek partnerët tanë më të mëdhenj tregtarë.
“Këtu sigurisht që rreziqet duhet t’i vendosim në anën tjetër – ndaj shtetit gjerman, ekonomisë gjermane, për shkak se ne jemi drejtpërdrejt të varur nga ato fabrika që funksionojnë dhe tek të cilat ne eksportojmë në zonat tekniko-industriale”, thotë Naumoski.
Maqedonia eksporton mbi 43 për qind të produkteve dhe shërbimeve në Gjermani, ndërsa në BE rreth 70 për qind.
Profesori Vangelov thotë se mbyllja eventuale e ngushticës nuk do të thotë domosdoshmërish një veprim afatgjatë, por mund të jetë e kalibruar si një sinjal për presion për kthim në negociata.
“Mbyllja e ngushticës së Hormuzit do të ishte shumë më tepër se një përgjigje ushtarake e Iranit. Do të ishte një lloj mesazhi politik për kufijtë e tolerancës dhe për rishpërndarjen e ndikimit global, si dhe për dobësitë e rendit ndërkombëtar ekzistues që gjithnjë e më pak arrin të mbajë një ekuilibër midis forcës dhe së drejtës”, thotë më tej Vangelov
Disa ekspertë presin që Izraeli të shkojë deri në fund me sulmet, me qëllim rrëzimin e qeverisë në Teheran. Megjithatë, mbetet e paqartë sa ka bazë reale për një ndryshim të tillë.