“Nëse duhet, do ta dhuroj pagën time për gjyqtarët”! Mickoski: Reformat e BE-së s’janë për gjyqësor më të mirë, por për paga më të larta

TË FUNDIT

Kryeministri Hristijan Mickoski nuk heq dorë nga ideja për shkarkimin e prokurorit të shtetit, Ljupço Kocevski, si dhe për ndryshime rrënjësore në sistemin gjyqësor. Ai e kishte paralajmëruar këtë disa muaj më parë, duke thënë se do të ndodhë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale. Megjithatë, ende nuk është e qartë se çfarë hapash konkrete do të ndërmarrë, pasi Kocevski, për të cilin Kuvendi votoi mocion mosbesimi në fund të korrikut, nuk e pranoi atë.

“Sa i përket Kocevskit, prisni dhe do të shihni”, tha Hristijan Mickoski.

https://youtu.be/RN5t5IjHIL8

Mickoski tha se nuk do t’i zbatojë rekomandimet e Komisionit Evropian për reformat në drejtësi, të cilat theksojnë se mungesa e pavarësisë financiare te gjyqtarët dhe prokurorët është problem serioz. Sipas tij, këto reforma nuk synojnë përmirësimin e sistemit, por rritjen e pagave të atyre që nuk kanë aspak besim nga qytetarët.

“I ftoj qytetarët të thonë publikisht nëse mendojnë se duhet t’u dyfishojmë pagat prokurorëve dhe gjyqtarëve. Ja, unë do ta dhuroj pagën time për ta, por le të gjykojnë dhe të akuzojnë sipas ligjit, jo siç veprojnë tani. E di që do të më sulmojnë dhe do të më akuzojnë, por nuk mundem — morali nuk më lejon të pajtohem me rritjen e pagave për njerëz që nuk kanë asnjë vlerësim. Dhe nëse kjo është reforma kyçe që duhet bërë, më falni, por unë nuk do ta bëj”, deklaroi Mickoski

Kocevski, dy ditë më parë, deklaroi se vërejtjet e Komisionit Evropian janë të drejta, sepse mungojnë burimet njerëzore — sipas tij, Prokuroria punon me rreth 360 të punësuar, që është vetëm një e treta e nevojave reale, ndërkohë që Ministria e Financave nuk miraton fonde për punësime të reja.