Nepal: Numri i viktimave kalon mbi 1500(Video)

TË FUNDIT

Tërmeti që goditi Nepalin ditën e sotme duket se po merr përmasa katastrofike. Sipas raportimeve të fundit numri i të vdekurve ka kaluar 1,500. Tërmeti i gradës 7.9 ballë ka shkatërruar qindra banesa dhe ka plagosur qindra persona.

Kryeministri Bamdev Gautam ka shpallur gjendjen e emergjencës dhe bëri apel për asistencë humanitare në të gjithë vendin. Autoritetet thonë se numri i viktimave mund të rritet edhe më shumë pas qindra të tjerë kanë mbetur nën gërmadhat e ndërtesave të shembura.

Tërmeti është ndjerë në gjithë rajonin. 18 alpinistë raportohet të kenë humbur jetën në një kamp alpinistësh në malin Everest për shkak të një orteku të shkaktuar nga tërmeti, ndërsa autoritetet indiane raportojnë 35 viktima në Indi.

Është shkatërruar kryeqyteti Katmandu ku është rrëzuar edhe kulla Dharahara, trashëgimi e UNESCO-s. Tërmeti i fundit i këtyre përmasave në Nepal ka rënë përpara 81 vjetësh ku humbën jetën 8,500 persona.

USAID ka njoftuar se ka ndarë një shumë fillestare prej 1 milionë dollarëve për “nevoja urgjente” dhe se SHBA-të janë duke e dërguar një ekip të reagimit në katastrofa për të ndihmuar Nepalin me operacionet e kërkim shpëtimit.

Operacionet e shpëtimit po kërkojnë për viktima poshtë rrënojave të ndërtesave të shkatërruara, ndërkohë që disa njerëz po trajtohet në vend ngjarje dhe disa të tjerë po dërgohen nëpër spitale me gjymtyrë të thyera dhe plagë të tjera serioze.

Lëkundjet e fuqishme të termetit që ndodhi para drekës sipas orës lokale, bënë që njerëzit të dilnin nëpër rrugë të frikësuar. Zyrtarët thonë se termeti u ndje edhe në disa qytete në veri të Indisë, në Tibet dhe Bangladesh, ku ka pasur njoftime për viktima.

Lëkundjet e forta që shkatërruan tempuj shekullorë po ashtu kanë shkaktuar një ortek dëbore në malin e Everestit duke bllokuar disa alpinistë dhe mesa duket kanë shkaktuar të plagosur. Ky është termeti më i fuqishëm që ka goditur këtë vend të varfër të Azisë Jugore në më shumë se 80 vjet.