U nënshkrua marrëveshja me konzorciumin amerikano-turk Behtel dhe Enka për ndërtimin e katër akseve të korridorit 8 dhe 10D me gjatësi prej 110 kilometrave që duhet filluar më 22 prill të këtij viti. Ndërtimi do të kushtojë rreth 1,3 miliardë euro ndërsa afati i realizimit është deri në vitin 2027. Në ngjarjen dhe në konferencën për media ky projekt u vlerësua si historik që do të mundësojë që Maqedonia të bëhet udhëkryq dhe rutë e pashmangshme për rajon.
“Më në fund do të kemi shtet që do t’i ketë të përfunduara korridoret 8 dhe 10D. Nga shteti që është në qendrën e Ballkanit, e që deri më tani ishte më së shumti sikur një qarkore e jo udhëkryq, tani më në fund do të bëhemi udhëkryq. Për shkak se me ndërtimin e Korridorit 8, Maqedonia e Veriut më në fund i ka dy korridoret që do ta bëjnë udhëkryq, dhe së dyti, do të kemi qasje deri te tre porte.”- deklaroi Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.
Ngjarjes ku mori pjesë edhe ambasadorja amerikane Anxhela Ageler, iu dha rëndësi e madhe por atmosfera mori drejtim tjetër kur gazetarët nisën me pyetjet për kompanitë që duhet ta bëjnë mbikëqyrjen e që janë me të kaluarën e korruptuar. Pjesë e konzorciumit IRD është edhe kompania, pronar i së cilës është Branisllav Dimitrieviq ndaj të cilit është hapur procedurë hetimore, ndërsa kontestuese është edhe kompania EPTISA. Zv/kryeministri i parë Artan Grubi kërkoi që mos të njolloset i gjithë projekti. Grubi tha se nuk ka qasje deri te procedura.
“Ju lutem të mos ngjitni etiketa, kjo është vërejtja ime për shkak se as ne e as ju nuk jemi organe hetuese. Çdokush që ka dokumente mund t’i dorëzojë PP-së, duke e përfshirë edhe opozitën. Nuk e di se çfarë nuk është e qartë. Unë jam zv/kryeministër në Qeveri, procedurën e udhëheq NPRrSH, si mund unë të di se kush është pronari kur nuk kam asnjë pikë të përbashkët me këtë procedurë.”- tha Artan Grubi, Zv/Kryeministër i Parë.
Përfaqësuesi i IRD thotë se kur është nënshkruar marrëveshja me kompaninë e dyshimtë, personi Branisllav Dimitrieviq nuk ishte pronari i saj.
“Kur e lidhëm marrëveshjen, përkrahja jonë lokale janë Eurokonsalting dhe Elektrosolution dhe sipas informacioneve që i kishim atëherë dhe tani, ky njeri, me të cilin paraprakisht është biseduar, nuk është përfshirë në strukturën e pronarëve, kur ne e lidhëm marrëveshjen për konzorcium dhe kur e dorëzuam ofertën.”- tha Darko Spirovski, Drejtues i IRD.
Ky projekt përfshin ndërtim të autostradave Trebenishtë-Strugë-Qaf Thanë me gjatësi prej 22,5km, Gostivar-Bukojçan, me gjatësi prej 30,1km, Tetovë-Gostivar, 27 km dhe aksi i korridorit 10D, Prilep-Manastir me gjatësi prej 43,4km.
