Negociata edhe me qeverinë kalimtare të Bullgarisë! Zaev: Do t’i gjejmë edhe rrënjët për të cilët insiston Bullgaria

TË FUNDIT

Pas qëndrimit të djeshëm të eurokomisarit Oliver Varheji se Maqedonia duhet t’i zgjidhë çështjet e hapura me Bullgarinë, kryeministri Zoran Zaev paralajmëron se negociatat do të vazhdojnë. Por për shkak të pamundësisë që Sofja të formojë qeveri, tha se për t’u vazhduar negociatat këtë do ta bëjnë edhe me qeverinë teknike, përkatësisht me qeverinë kalimtare të Bullgarisë.

“Shpresoj se edhe pse Bullgaria logjikisht përsëri do të shkojë në zgjedhje parlamentare megjithatë mund të gjejmë zgjidhje me qeverinë e përkohshme e cila do të emërojë presidentin Radev. Unë thashë se problemi është irracional dhe se duhet të gjejmë zgjidhje, që është në interes të Bullgarisë edhe të Maqedonisë së Veriut që të jetë anëtare e BE-së”, pohoi Zoran Zaev, kryeministër.

Sa u përket çështjeve të hapura me Bullgarinë, dje u prononcua Stejt Departamenti Amerikan, prej ku porositën se negociatat për kontestet bilaterale mes Sofjes dhe Shkupit, duhet të zgjidhen jashtë procesit aderues me BE-në. Zaev siguron se çështjet e identitetit nuk janë pjesë e negociatave.

“Me çmimin e identitetit maqedonas dhe gjuhës maqedonase, nuk na duhet Bashkimi Evropian. Më vjen mirë që edhe Bullgaria tregon se nuk kanë problem me realitetin për gjuhën maqedonase dhe popullin maqedonas. Por hajde thonë le t’i verifikojmë rrënjët, do t’i gjejmë edhe rrënjët, nëse jemi të mençur në mënyrë evropiane”, deklaroi Zoran Zaev, kryeministër.

Këto ditë gjithnjë e më të zëshme janë paralajmërimet se ka mundësi që Maqedonia dhe Shqipëria të ndahen si pako. Edhe pse ministri i jashtëm gjerman Hajko Mas si dhe ministrja austriake për Evropë, Karoline Edshtag, thanë se kjo nuk është mirë, dje eurokomiasri Varheji paralajmëroi se nëse Maqedonia nuk arrin progres me Bullgarinë, ka mundësi që Tirana t’i fillojë negociatat.