Në Xhorxhia vendoset se kush do ta kontrollojë Senatin

TË FUNDIT

Presidenti i zgjedhur, Xho Bajdën dhe presidenti i SHBA-së, Donald Tramp dje morën pjesë në tubimet përfundimtare të kandidatëve të partive të tyre për senatorë nga Xhorxhia.

Në garë janë senatorët aktualë republikanë Keli Loefler dhe Dejvid Perdju kundër demokratëve Rafael Varnok dhe Jon Osof. Nëse demokratët i fitojnë dy vendet në rrethin e dytë të zgjedhjeve në Xhorxhia, mund ta kthejnë kontrollin mbi Senat, ku tani shumicën e kanë republikanët.

Kontrolli mbi Senatin do të thotë se Bajdën do të mund ta zbatojë agjendën e vet, sepse shumicën në Dhomën përfaqësuese të Kongresit e kanë demokratët.

Anketat tregojnë se demokratët kanë epërsi të vogël, por Xhorxhia historikisht është shtet republikan. Në të vërtetë Bajdën është demokrati i parë, i cili në Xhorxhia i fitoi zgjedhjet presidenciale që prej vitit 1992.

Pritet që dalja në zgjedhje të jetë e lartë, sepse në votimin e hershëm tashmë dolën tre milionë njerëz.

Republikanët për momentin kanë 50 vende në Senat, ndërsa demokratët 48. Nëse demokratët i fitojnë dy vendet, atëherë dy partitë do të kenë nga 50 vende dhe në atë rast vota vendimtare është e  kryesuesit të Senatit, e në këtë rast është zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamalla Haris.