Ish deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski ka dilemë nëse miratimi i ndryshimeve kushtetuese do të na çojë më shpejtë në BE. Në emisionin Klik Plus në TV21 tha se nëse i sjellim ndryshimet kushtetuese po hyjmë në rrezik nga kërkesa të vazhdueshme nga pala bullgare, andaj mendon se në vend të ndryshimeve kushtetuese, neve si shoqëri na duhet kohezion.
“Nëse i pranojmë ndryshimet kushtetuese ne do të hyjmë në rrugën e BE-së, e shkruar me të ashtuquajturën marrëveshje franceze ku ka dhjetëra kërkesa bullgare të futura në kornizën negociuese përmes protokolleve dhe Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, që do të thotë pranimi ynë absolut i këtyre kërkesave, siç e dëgjuam Radevin, siç e dëgjuam Jotovën etj, ose do të thotë prolongim. Nuk guxojmë të bëhemi kinse po negociojmë vetëm me Bruksel, për shkak se në Bruksel të drejtën e barabartë e vendimmarrjes e ka edhe Sofja. “- deklaroi Ilija Dimovski, ish deputet i VMRO-DPMNE-së.
Edhe pse kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se nëse nuk ndodhin ndryshimet kushtetuese nuk mendon që të japë dorëheqje, megjithatë Dimovski mendon se në një rast të tillë Qeveria do ta humbë legjitimitetin duke e përsëritur atë që VMRO-DPMNE vazhdimisht po e kërkon, zgjedhje të parakohshme.
“Nëse nuk pranohen ndryshimet kushtetuese në Kuvend, se sa duket kështu do të jetë, kjo qeveri nuk e humb legjitimitetin tekstualisht kur bëhet fjalë për numrat në Kuvend, atje arrijnë që të shtojnë dy ose tre persona plus, megjithatë do ta humbë legjitimitetin në aspekt të politikës që e zbaton. Menjëherë pas asaj mendoj se do të ishte korrekte për shoqërie tonë, jo për partitë politike, t’i lëmë anash partitë politike, për shoqërinë, që të organizohen zgjedhje.”- tha Ilija Dimovski, ish deputet i VMRO-DPMNE-së.
Dimovski tha se në zgjedhjet e ardhshme kur VMRO-DPMNE do të marrin rreth 55 deputetë, ata që tani janë më të zëshme në BDI, do të jenë të parët që do të vijnë për të negociuar me ta.
