Kriza e refugjatëve nuk do të përfundojë së shpejti. Priten valë të reja të refugjatëve, ndoshta edhe me intensitet më të madh – parashikojnë ekspertët e vendit dhe të huaj. Maqedonia si pjesë e kalimit transit në Ballkan, nuk do të anashkalohet. Institucionet kompetente e ndjekin situatën dhe po përgatiten të ballafaqohen me krizën në kushtet e dimrit.
“Jemi duke u përgatitur për sfidat e ardhshme, që edhe një herë të tregojmë se Maqedonia si një shtet me kapacitete modeste, po tregon humanizëm maksimal. Po rigrupohemi dhe strukturohemi që t’ia dalim mbanë sa i takon veshjes dimërore, kujdesit shëndetësor dhe logjistikës për personat që do të kalojnë këndej”, thotë Sait Saiti, sekretar i përgjithshëm i Kryqit të Kuq në Maqedoni.
Nga Qendra për Menaxhim me Krizat informojnë se të gjitha institucionet kompetente janë në koordinim për t’u ballafaquar me valët e reja të refugjatëve. Suzana Saliu, drejtuese e kësaj Qendre, thotë se as Maqedonia, e as Serbia nuk po planifikojnë të ngrenë mure në kufijtë e tyre. “Nuk besojmë se Serbia do ta mbyllë kufirin. Nuk besojmë në politika të tilla, për shkak se u treguan të pasuksesshme dhe nuk janë në pajtim me politikat evropiane”, theksoi ajo.
Edhe ambasadorja e Serbisë deklaroi se Serbia nuk planifikon ta mbyllë kufirin jugor, duke e demantuar një lajm që u publikua nga disa media. I njëjti njoftim erdhi edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Në vend të mureve dhe gardheve, të tregohet solidarizim në frymën evropiane dhe t’u dilet në ndihmë njerëzve të cilët pa fajin e tyre i braktisën shtëpitë e veta. “Një person i caktuar nuk mund të thotë se është refugjat, nëse këtë nuk e dëshmon. Shërbime relevante bëjnë hulumtime që ta vërtetojnë këtë gjë. Neve na është e qartë se asnjëri nuk do të dëshironte ta lëshojë vendin e vet dhe të kërkojë strehim në një vend tjetër, në qoftë se nuk është viktimë e persekutimit në vendin e tij. Për këtë arsye, ne kemi masa me të cilat bëjmë kontroll të personave që e kalojnë kufirin”, deklaroi përfaqësuesi i UNHCR në Maqedoni, Mohamed Arif.
Përndryshe, Bashkimi Evropian duhet që të enjten të diskutojë rreth këtij problemi në Konferencën ballkanike që do të mbahet në Luksemburg. Pikat e rendit të ditës kanë të bëjnë me pranimin dhe me regjistrimin e refugjatëve në Maqedoni dhe në Serbi, si edhe me vendosjen e tyre të mundshme në këto vende.
Gabriela-Dimkoviq – Mishevska
