Për shkak të kohës së shkurtër dhe rëndësisë së çështjes, Këshilli i Evropës më së voni në tetor do t’i rikthehet çështjes për hapjen e negociatave aderuese me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Me këtë përfundim doli diskutimi i Ministrave të Jashtëm të 28 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të cilët debatuan sot për çështjen e zgjerimit. Ndërkaq Komisionari Johanes Han tha se s’mund të japë asnjë garanci se në vjeshtë Maqedonia e Veriut do të marrë datë, por shtoi se ka bindjen se kjo gjë do të ndodhë.
“Nuk mund të jap asnjë garanci, por kam dëgjuar me kujdes vendet anëtare dhe qëndrimet e tyre dhe ata ishin me shumë vlerësime për Maqedoninë e Veriut. Jam i bindur dhe duhet të them se ishte një qëndrim i sinqertë nga ministri gjerman Mihajl Rot kur tha se kanë një problem institucional meqë Bundestagu gjerman s’ka pasur kohë për t’u marrë me këtë çështje. Duhet t’i respektojmë institucionet demokratike sepse për këtë punojmë, për të zhvilluar institucionet demokratike në vendet partnere, prandaj duhet të respektojmë kur ndonjë nga vendet anëtare ka kështu çështjesh institucionale. Unë kam vetëm bindjen se vendet do të marrin datë në tetor”, deklaroi Komisioneri për Zgjerim Johanes Han.
Han shtoi se nuk do të ishte e drejtë ndarja e pakos për zgjerim ku bëjnë pjesë Maqedonia dhe Shqipëria, sepse sipas tij të dyja vendet i kanë përmbushur detyrat që u janë kërkuar dhe meritojnë hapjen e negociatave. Këtë e tha edhe Ministri i Gjermanisë për Evropë Mihajl Rot. Si Maqedonia e Veriut, po ashtu edhe Shqipëria i kanë bërë detyrat e shtëpisë që vitin e kaluar ua dha Bashkimi Evropian, tha Rot duke shtuar se zgjerimi i BE-së është i rëndësishëm për sigurinë, stabilitetin dhe paqen e gjithë Unionit.
“Maqedonia e Veriut ka bërë histori me Marrëveshjen e Prespës që dha një shembull të guximit dhe vullnetit për pajtim. U zgjidh një konflikt thuajse 30 vjeçar dhe kjo duhet të njihet. Bashkimi Evropian nuk duhet ta humbasë kredibilitetin, qëllimi ynë është që të merremi vesh për fillim të negociatave aderuese. Ato do të jenë të gjata dhe të vështira, por bëhet fjalë për kredibilitet dhe stabilizim të demokracisë, lirinë e fjalës dhe sundimin e ligjit në këto shtete. Pa BE-në kjo nuk do të funksiononte”, u shpreh Ministri i Gjermanisë për Evropë, Mihael Rot.
Rot mohoi se Gjermania po bëhet pengesë e Maqedonisë së Veriut për marrjen e datës për nisje të bisedimeve, ndërsa shtyrjen e vendimit për në vjeshtë e arsyeton me publikimin e vonuar të raportit të progresit dhe nevojës që ka Bundestagu për ta shqyrtuar të njëjtin. “Duhet t’i japim pak kohë Bundestagut dhe unë besoj se më së voni deri në tetor do të sjellim vendim pozitiv” përfundoi Ministri gjerman Rot. Ndërkaq homologu i tij italian, Enzo Moavero tha se disa çështje kanë ngecur te Bundestagu gjerman.
“Sot duhet të finalizojmë kuadrin ligjor për bisedimet për zgjerim. Çështjet e hapura lidhen kryesisht me votimin në Bundestagun gjerman i cili është shtyrë për pas verës dhe për të përparuar në çështjet e zgjerimit, me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për të hapur negociatat”, potencoi Ministri i Italisë për Punë të Jashtme, Enzo Moavero.
Mbledhja e sotme e Ministrave të jashtëm të vendeve të BE-së i paraprin asaj të Këshillit Evropian që do të mbahet më 20 dhe 21 qershor, kur dhe pritet të merren vendime përfundimtare.
Përgatiti: Besir Arifi
